Barleti Volley dy herė rresht fituese e Kupės sė Shqipėrisė

Vajzat e Universitetit "Marin Barleti" për të dytin vit rradhazi shpallen fituese të Kupës së Shqipërisë në volejboll për femra. Në një ndeshje drithëruese që ka zgjatur mbi 2 orë e 30 minuta në pallatin e sportit të qytetit të Durrësit, vajzat e drejtuara nga trajneri legjendar Kreshnik Tartari kanë mundur 2:3 Minatorin e Rrëshenit. Shpallja e dytë si fituese e kupës e konfirmon UMB Voley si njërën nga skuadrat elitë të volejbollit të femrave në Shqipëri dhe provon se formula anglosaksone që gërsheton universitetin me botën sportive funksionon më së miri edhe tek ne. Ndeshja ka nisur në ekuilibër të plotë, teksa në setin e parë dy skuadrat qëndruan shumë pranë me pikë. Seti u fitua 30 - 28 nga vajzat e "Marin Barletit".

Në setin e dytë rivaliteti ka mbetur po aq i fortë sa në fillim të ndeshjes por në krye kanë dalë vajzat e Minatorit të Rrëshenit. Në setin e tretë sërish Minatori arrin të bëjë një lojë më të saktë duke e mundur UMB Volley 25 - 20. Profesor Tartari bën lëvizjet e duhura teknike në setin e katërt duke ndryshuar formulën me dinakëri dhe ndeshja barazohet 2 - 2, dhe duke krijuar një atmosferë të pabesueshme në pallatin e sportit "Ramazan Njala". Kupa e Shqipërisë varet nga seti i fundit. Amanda Cvejdlik, lojtarja e dytë amerikane që luan për "UMB Voley" ka qënë arma sekrete e Kreshnik Tartarit, i cili me mjeshtëri ka arritur ta mundë skuadrën e fortë të Rrëshenit duke e bërë "Barleti Volley"  dy herë rresht fituesen e Kupës së Shqipërisë. UMB Voley mundi në gjysmëfinale ekipin pretendent të Tiranës në një tjetër ndeshje me 5 sete.

Në ceremoninë e marrjes së trofeut, Profesor Tartari u shpreh; "Ishte një finale shumë e bukur dhe për rivalitetin që e përshkroi. Minatori ishte kundërshtar shumë i fortë, ndërsa na u desh të luanim sërish pesë sete për të fituar. Vajzat duhen falenderuar të gjitha pasi kanë qenë të mrekullueshme gjatë këtyre ditëve, duke besuar deri në fund tek suksesi, i cili nga është shpërblyer duke fituar këtë trofe, që e kemi merituar plotësisht".


Universiteti 'MARIN BARLETI' © 2005 - 2009. Tė gjitha tė drejtat tė rezervuara.