"Universiteti Marin Barleti Volley" mundėn 3-1 nė finale Tiranėn dhe fitojnė trofeun e parė absolut

UMB Volej ka fituar dje Kupën e Shqipërisë në volejboll për femra, duke mundur 3-1 në finalen Tiranën, një ndeshje e luajtur mbrëmë në pallatin e sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet. Triumfi i parë në jetën e saj 5-vjeçare për skuadrën private të UMB Volejit, e cila arriti të ngrejë lart trofeun e shumëpritur. Një sukses i merituar i trajnerit Tartari dhe i vajzave të tij, që dje gëzuan dhe festuan gjatë këtë trofe. Finalja e luajtur në një mjedis shumë të ftohtë, solli mjaft shikues, të cilët shijuan një ndeshje të mirë, me rivalitet dhe emocione. Tirana luajti mirë, rivalizoi deri në pikën e fundit, tregoi forcë karakteri dhe dëshirë, por përvoja dhe shtatlartësia ishin në favor të UMB-së. Shkurti e Nezaj, megjithëse nuk u dorëzuan, nuk mjaftuan për të përballuar një lojë kolektive të UMB-së.
NDESHJA: Pas një fillimi të qetë, UMB-ja nis të shkëputet që në pikët e para 6-3, 12-7, falë një loje më të mirë në bllok, ku arrin të dobësojë sulmin bardheblu. Epërsia rritet deri në fund të setit, ku Prenga, Shollo e Xhixha mbyllin lojën në favor të UMB-së, 25-18. Në setin e dytë, është Nezaj ajo që nga shërbimi nxjerr për herë të parë Tiranën në epërsi, 8-5, ndërkohë që Gurabardhi u jep besim të rejave Blloku e Meta, që nuk gabojnë. Kjo çorodit disi UMB-në, që e sheh veten në disavantazh, ndërsa Shkurti e Akcani thellojnë diferencën në 14-8. Loja ndërron shpesh në këtë set dhe menjëherë vjen barazimi 16-16, madje skuadra e trajnerit Tartari udhëheq 19-17. Tirana nuk heq dorë, mbron mirë dhe arrin të dalë sërish përpara 20-19, 24-21 dhe fiton 25-23 setin e dytë. Bardheblutë e nisin mirë edhe setin e tretë dhe udhëheqin 8-6 pas pushimit të parë teknik. Por UMB-ja ndërron lojë, luan më shumë me qendrat, ku dallohen Sallaku e Kadriu, që çojnë përpara UMB-në, 17-14, 19-15 dhe ky set fitohet nga universitaret 25-19. Seti i katërt e gjen Tiranën pa shumë forcë dhe nuk kundërpërgjigjet si duhet, megjithëse Nezaj e Shkurti luajnë fort. UMB-ja rrit sërish bllokun dhe arrin të shkëputet 11-5, 19-11, për të fituar setin 25-17 dhe krejt ndeshjen 3-1.
FESTA: Pas pikës së fundit dhe të fitores nis gëzimi te skuadra e UMB-së, që feston me tifozët e shumtë që e mbështetën në këtë ndeshje. Sekretari Tase dhe anëtari i KE-së, Tukseferi, i dorëzojnë trofeun kapitenes së UMB-së, Junida Shollo, dhe më pas nis një festë mes fishekzjarreve. Dëshpërimi i bardhebluve është i madh, ndërkohë që volejbollistet e UMB-së festojnë kupën e parë në historinë e tyre. Tashmë libri i artë i Kupës së Shqipërisë në volejboll për femra ka edhe një emër të ri, atë të UMB Volejit.


UMB Volej - Tirana 3-1
(25-18, 23-25, 25-19, 25-17)
UMB VOLEJ: Ar.Prenga, Pogoni, Kadriu, Sallaku, Kuqi, Kurti, Xhixha, Lapardhoti, Ad.Prenga, Vokrri, Xhaferaj. Trajner: K. Tartari
TIRANA: Shkurti, Nezaj, Gjonaj, Akcani, E.Hysa, Sejfullai, Blloku, Matraku, E.Meta, A.Rama, F.Harxhi, Lishaj. Trajner: H. Gurabardhi
Gjyqtarë: A. Shehu, R. Kasmi

Flet trajneri i UMB Volejit
Tartari: Një sukses i shumëpritur

Tepër i kënaqur e veçanërisht i emocionuar u shpreh pas ndeshjes trajneri i UMB Volejit, Kreshnik Tartari, që e vlerësoi mjaft këtë kupë të parë të skuadrës së tij. “E prisnim prej kohësh këtë trofe, e kemi kërkuar dhe ia dolëm mbanë të fitojmë. Është një trofe i veçantë, pas një pune disavjeçare, e fituar nga një skuadër që lindi nga hiçi. I përgëzoj të gjitha vajzat, kanë punuar dhe e meritojnë këtë trofe. Mendoj se sot (dje) e merituam këtë trofe, pasi luajtëm mirë, megjithëse kundërshtari ishte i fortë dhe e vlerësojmë për lojën e dhënë. Falënderoj të gjithë ata që na kanë mbështetur, pasi sollëm një risi në volejboll dhe ky sukses i arritur flet qartë se kemi bërë një punë të mirë,” - u shpreh për “Sportin shqiptar” pas finales së djeshme ndaj Tiranës trajneri i UMB Volejit, Kreshnik Tartari.

———————————————————————–

Prenga: Trofeu, meritë e skuadrës


Volejbollistja 23-vjeçare e UMB-së, Ariola Prenga, mbetet pa dyshim një nga lojtaret më të mira në kampionat dhe formën e saj të mirë e tregoi edhe në finalen e djeshme ndaj Tiranës. Për shtatlartën Prenga kjo është hera e tretë radhazi që ngre lart Kupën e Shqipërisë, pas atyre me Dinamon dhe Tiranën një vit më parë. “Jam shumë e kënaqur, pasi skuadra tregoi një formë të mirë dhe e meritoi fitoren. Personalisht ndihem mirë, pasi arrij të fitoj një tjetër trofe dhe kjo tregon se puna e kryer po shpërblehet me fitore. Një trofe për të cilin falënderoj skuadrën dhe trajnerin Tartari, që na ka mbështetur,” - tha pas ndeshjes së djeshme Ariola Prenga.

Gurabardhi: Treguam një nivel të mirë


Me gjithë humbjen e mbrëmshme, trajneri i Tiranës në volejboll për femra, Hasan Gurabardhi, u shpreh i kënaqur me atë çka skuadra e tij dha në fushë, jo vetëm në këtë finale por edhe gjatë kësaj pjese të sezonit. “Jam i kënaqur nga loja dhe grinta që dha skuadra jonë. E dinim që ishte e vështirë, pasi përballë kishim një skuadër me përvojë, ndërsa Tirana luan për herë të parë me vajza të reja, pas largimeve të shumta. Mendoj se e arritëm objektivin që kishim, pasi lamë pas skuadra të forta si Studenti dhe Minatori. Për sa i përket kampionatit, mendoj se të mërkurën gjithçka nis nga e para dhe do të luajmë deri në fund për të fituar,” - tha trajneri i skuadrës bardheblu, Hasan Gurabardhi.


Genti Spiri (Sporti Shqiptar)


Universiteti 'MARIN BARLETI' © 2005 - 2009. Tė gjitha tė drejtat tė rezervuara.