Erkandi e mbajti fjalën.
Pas suksesit në Kampionatin Evropian të Italisë në muajin prill (ku preferoi të garonte në përbërje të ekipit kombëtar të të rriturve duke zenë vendin e katërt) kampioni i botës në peshëngritje për të rinj kishte premtuar të ngrinte flamurin shqiptar në botërorin në Amerikën Latine.
Dhe sot më 19 qershor, Erkand Qerimaj u shpall nënkampion bote në stilin e shtytjes, duke ngritur 185 kilogramë në botërorin e të rinjve në Cali të Kolumbisë.
Erkand Qerimaj, shkodrani 20-vjeçar, student në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin "Marin Barleti", do të jetë dhe një nga përfaqësuesit e Shqipërisë në Lojërat Olimpike "Pekin 2008", sipas vendimit të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. Në këtë aktivitet ai do të ketë përkrah Gerti Trashën (i teti në Kampionatin Evropian në Itali), dhe do të shoqërohen nga trajneri Barkiçi dhe sekretari i përgjithshëm Kraja.
Drejtori teknik i federatës, Përparim Feruni, beson se Qerimaj mund të ngjitet në podiumin e fituesve në Pekin. "Shqipëria zuri vendin e parë si ekip për meshkuj në klasifikimin për Olimpiadë. Erkandi i ka mundësitë, pavarësisht se në Pekin marrin pjesë sportistë dhe emra të mëdhenj nga e gjithë bota. Është ende shpejt të flasim për medalje, por sigurisht që do të fokusohemi edhe te ato", tha ai.
Universiteti Marin Barleti përgëzon Erkandin për rezultatet e arrira dhe lojën e pastër sportive, duke besuar fort në suksese të mëtejshme.
Emocionet vazhdojnë...