|
|
|
16 Maj 2008 Studentėt e UMB nė Allegretto Albania, komedia serioze mbi ngujimin dhe Kanunin
Pas një jave intensive leksionesh, seminaresh dhe testesh parapërgatitore për provimet e sezonit, Universiteti Marin Barleti mundësoi këtë të premte për studentët e tij organizimin e pjesëmarrjes në shfaqjen teatrore “Allegretto Albania”.
Sadedini, mashtrues e vrasës i ftohtë, vret Ukun dhe merr arratinë. Në Shkodër mbeten disa familjarë të tij, mes të cilëve vajza e hallës (Olta Daku), i shoqi (Mirush Kabashin) dhe dy djemtë, njëri prej të cilëve (Gazmend Paja) është një punk i apasionuar pas de Niros në “Taxi Driver” dhe adhurues i bindur i nënës. Është kjo grua e fortë që nuk kupton pse familja e të vrarit dërgon fjalë se do marrë hak te më i miri i fisit dhe pse i shoqi i saj mendon se është ai më i miri. Është ajo që, gjatë ngujimit të detyruar, sheh me mosbesim ndihmat dhe vizitat e përfaqësuesve të medias, OJF-ve dhe shoqatave humanitare që jetojnë në kurriz të tragjedisë së tyre. Ndërsa i shoqi - kritik muzike, shoqëruar nga djemtë, deri në fund këndon me shpirt: “Për ty atdhe më të buk’rën këngë me fuqinë e kësaj zemre po këndoj, për këto male, për këto fusha të gjera, për këtë vend ku sot i lumtur jetoj...”.
Studentët patën rastin të ndjekin historinë e një ngujimi, trajtuar në një komedi serioze siç është cilësuar nga vetë autorët “Allegretto Albania”, shkruar nga Stefan Çapaliku, sjellë në skenë nga regjizori i Portokallisë Altin Basha me artistin Mirush Kabashi, i vlerësuar si “Aktori më i mirë ndërkombëtar” në Festivalin e Kajros 1997.
Ky spektakël i fundit teatror pason ata të mëparshëm, ku asistuan studentët e Universitetit Marin Baleti, si “Apologjia e vërtetë e Sokratit” dhe “Pamje nga ura”. Ishin pikërisht protagonistët e këtij të fundit, Timo Flloko dhe Yllka Mujo, që u shpallën këtë fundjavë dhe fitues të çmimit “Aktori më i mirë” dhe “Aktorja më e mirë” në Festivalin teatror “Apollonia 2008” . |