6 Dhjetor 2007 - “Fryma mbi ujėra” e poetit Agron Tufa zbret nė Universitetin Marin Barleti

Prezantimi i përmbledhjes me poezi të zgjedhura “Fryma mbi ujëra” dhe leximi i disa prej krijime të shkëputura prej tij, ishte një pjesë e asaj çka dhuroi shkrimtari Agron Tufa gjatë takimit të organizuar sot në ambjentet e UMB, në bashkëpunim me Mjaft në kuadrin e fushatës “Shqipëria lexon”.


Origjina e mendimit

...A ka vallë një të drejtë për mendimin? Domethënë
a del dikush (njeri a trajtë arsyetuese) ta përligjë?
Kur u shfaq për së pari, çfarë ishte para çastit të dhënë mendimi i zhveshur, me kuptim për të gjithë?
Mendimi-ndjenjë, mendimi-ide, mendimi-ekzistencë,
ai që përbën të Vërtetat e Epërme, që dikë gëzon, tremb, ai që vëzhgon, survejon, udhëheq, bën shkencë,
mendimi i lakuar ndër identitete, mendimi që dhemb?
Si u shfaq? Nga erdh? Me ç’qëllim? Si mbahet gjallë?
Si dhe çfarë do të ishin qeniet pa mendim?
Cila vallë është ajo shigjetë që çan eterin neutral të Hiçit
me trajektoren e vet për t’u ngulur në Qëllim? ...



Pas teje

Pas teje, si pas një lufte të madhe,
në “para” dhe “pas” koha ime ndali:
humbjet janë modeste në listat zyrtare,
por tempullin më t’afërt e zuri spitali -

një vit më parë. E me gjasë, përgjithmonë.
Trishtohem teksa lutem, kruspull, trajtëlëvoreje,
duke u ngushëlluar me faktin se mjerimi im
nuk është i ri, si e prapmja e çdo fitoreje -

aq më tepër e vjetshmja. Shpresa të rrejshme!
Tregu i zi i dimrit, ku më shtrenjtë se buka
janë fotot e tua, letrat, dëbora e djeshme
dhe një rriskë qielli harruar ndër fusha!

Tek nxitoje, ti harrove shallin e kaltër
në paradhomën time ku pluhuri nuk mbyll sy.
Dikush tha: “Në dashuri nuk nguten sall shpirtrat e pastër”.
Të lashtë shpirtrat tanë, sa qind perandori -

dhe ashtu si perandoritë bien ndër vite, muaj,
tek u hapin udhë turmave të urryera,
shpirtrat bëjnë sehir qysh një pasion i huaj
e mbush akropolin me statuja të thyera...

Të shpëtuarat janë të lume; njësoj në plojë:
kush një krah të thyer, kush një këmbë humbur qëmotit...
Pas teje, si pas një lufte të madhe
ia dola të kthehem. Dhe lavdi Zotit!


Album (IX)

Druaj se jam elegjiak: e respektoj si Zot
fjalën që di të përçikë gjer në fibra.
Por e teproj, se s’di të dua. Jam i gdhendur
për patetikë, porse jam bir i adoptuar i përmbajtjes.
Mjetet për qenësi dhe qenësia ime me mjetet
drobiten në konfliktin e egër që ngre
morali cfilitës i varësisë. Kam mundur të jem
papranueshmëria e gjërave të pranueshme.
Porse s’jam një gjendje e dhënë. - Njëtrajtshmëria
drejtvizore e njohjes - më përshpërit engjëlli në vesh -
të shpie në konstatime drejtvizore,
në mërzi drejtvizore,
në anën e prapme drejtvizore.
Simetria e ndjenjave tua del huq
me asimetrinë e vijës dhe pikës,
shënon rënien tënde në kohë e hapësirë.
O asfiksi e mallkuar e strukturës!


Shqipëria

Shqipëria është më e madhe se toka e saj,
se qielli i shtrirë pingul.
Ajo është një ëndërr e thinjur anije -
jaht që greminat puth.

Me krahë rreh plagët - gjak t’i mbyllë
tek përpëlitet përgjysmuar.
Ajo s’është pjesë planeti, por yll
loti që Zotit i pati pikuar.


Universiteti 'MARIN BARLETI' © 2005 - 2009. Tė gjitha tė drejtat tė rezervuara.