Në mjediset e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë u organizua një takim me Rektorë të universiteteve të vendit për konsultim e shkëmbim mendimesh lidhur me probleme të zhvillimit të kërkimit shkencor në vend, bashkëpunimit institucional në këtë fushë, çështje të lidhura me projekt Statutin e ri të Akademisë edhe mbi sistemin e kualifikimeve e vlerësimeve të kërkimit shkencor dhe risitë në institucione kërkimore dhe shkolla të larta të vendit.
Pjesëmarrës i takimit, Rektori i “Universiteti Barleti”, Prof. Marenglen Spiro theksoi nevojën e bashkëpunimit të institucioneve të arsimit të lartë me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë me qëllim zhvillimin e një kërkimi efektiv dhe të zbatueshëm në kushtet e vendit tonë, me elementë të rinj novatorë dhe anagazhimin e përbashkët të forcave respektive këkimore për hartimin dhe zbatimin në komunitete të projekteve të lidhura me dijet shkencore të kultivuara. Ai u angazhua për gadishmërinë e “Universiteti Barleti” për të qenë aktiv dhe rezultativ në këtë bashkëpunim të shumëpritur.
Lidhur me projekt Statutin e Akademisë, Rektori Spiro premtoi të përcjellë shënime vlerësuese e sugjeruese me shkrim, pas përfundimit të konsultimeve me personelin akademik të institucionit që ai drejton.