Në kuadër të iniciativës Auditori i Hapur, Katedra UNESCO pranë UB dhe Instituti Shqiptar për Çështjet Publike, më datë 1 Nëntor 2018 organizuan Auditorin e Hapur me temë “Migrimi, të Drejtat e Njeriut dhe Bashkimi Evropian”.
Të ftuar të veçantë në këtë event ishin deputetët e Parlamentit Italian, Fabiana Dadone, anëtare e Komisionit parlamentar për Çështjet Kushtetuese, Këshillit të Ministrave dhe Punëve te Brendshme; dhe Andrea Colletti, Anëtar i Komisionit parlamentar për Punët e Jashtme dhe Evropiane.
Pas fjalës së hapjes së Rektorit të UB, Prof.Dr. Marenglen Spiro, Znj. Dadone u prezantoi të pranishmëve një çështje tepër delikate të lidhur ngushtësisht me migracionin, siç është ajo e trafikimit të qënieve njerëzore dhe masat e ndërmarra nga institucionet italiane dhe evropiane me qëllim çrrënjosjen e këtij fenomeni. Nga ana tjetër, Z. Colletti u fokusua tek procesi i integrimit të Shqipërisë në BE, rrugëtimin e vendit tonë në plotësimin e prioriteteve të vendosura nga Komisioni Evropian, si dhe faktorët e brendshëm dhe të jashtëm që ndikojnë këtë proces.
Në përfundim të Auditorit të Hapur, pjesëmarrësit disktuan me të ftuarit rreth temave kyçe që lidhen me migracionin, të drejtat e njeriut dhe integrimin evropian.
Auditori i Hapur ju mirëpret në eventin e radhës!