Të dashur student të rinj të “Universiteti Barleti”,
Mirëseardhët në “Universiteti Barleti’ dhe, më lejoni, që, në emër të profesoratit të këtij institucioni, së bashku me dy koleget e mia të afërta, dekane të fakulteteve, profesoreshën Zamira Çavo dhe profesoreshën Semiha Loca, t’ju uroj një vit shkollor shumë të mbarë për ju!
Ju, të dashur studentë, keni realizuar një dëshirë tuajën duke u pranuar në institucionin tonë, sipas zgjedhjes që keni bërë; ky është një moment i rëndësishëm për njeriun dhe një sukses, gjithashtu, i tij; në këto raste, njeriu thotë se “gjeta veten” në këtë institucion.
Unë mendoj se ju veten e keni, tashmë, të gjetur e të formuar, nga familja juaj, edukata, shkolla që keni kryer, rinia e juaj që sot ju ndrin në sy të gjithëve!
Në dallim, tek ne ju do ta bëni veten tuaj, të denjë për aspiratat që keni, familjet tuaja, të ardhmen tuaj dhe për vendin!
Gjatë kësaj kohe që jeni përgatitur për përzgjedhjen tuaj, keni dëgjuar nga ne të flasim për suksesin e madh të institucionit tonë, lidhur me rezulatet e raportit të vlerësimit të cilësisë të kryer nga ekspertë të huaj të angazhuar nga Qeveria Shqiptare, për akreditimin instiucional; ju do të merrni diplomë të një institucioni me vlerësim maksimal të këtij procesi.
Por, duhet të dini që kjo nuk mjafton; asnjë nga punëdhënësit nuk ju angazhon vetëm duke parë diplomën; juve do t’ju duhet të shpreheni pranë tyre duke pasqyruar aspiratat, dëshirat, aftësitë, kualifikimin, përkushtimin e vullnetin tuaj për punën të cilës do të doni t’i kushtoheni!
Dhe, unë, në emër të profesoratit tim, ju jap fjalën që ju do të arrini të kaloni këtë fazë me dinjitet e sukses!
Në përpjekjen tonë të përbashkët për përgatitjen tuaj të plotë, ne kërkojmë nga ju të jeni me ne, të jeni përditë në shkollë, pranë profesoratit të kualifikuar që kemi dhe të punoni, me ‘të, përditë, duke përfituar prej dijeve e përkushtimit të tij.
Me premtimin për një jetë të vlefëshme e interesante akademike për ju, gajtë kohës që do të jeni studentë të “Universiteti Barleti”, ju uroj , edhe një herë, vetëm suksese dhe rezultate të larta në veprimtarinë tuaj universitare!
Rektori
Marenglen SPIRO