Në datën 4 Qershor, studentët e “Universiteti Barleti”, në kuadër të aktiviteteve të “Vitit të Skëndërbeut”, zhvilluan një bisedë shumë interesante dhe emocionuese me arbëreshin Anton Belushi, i cili ia ka kushtuar jetën shqiptarisë. Anton Belushi është autor i 12 vëllimeve me problematika të trashëgimisë kulturore si dhe themelues dhe ruajtës i bibliotekës së famshme me 6000 tituj në gjuhën shqipe në Frashineto, në Kozenca të Italisë.
Padre Belushi u foli studentëve për identitetin e ruajtur me aq dashuri që nga koha e Skënderbeut. “Unë kam lindur në Itali, - tha doktori i shkencave dhe studiuesi i trashëgimisë kulturore shqiptare - por kur ktheheshim në shtëpi nga shkolla dhe flisnim italisht nëna na qortonte dhe na thoshte se në shtëpi flitet gjuha e shtëpisë dhe ajo është gjuha shqipe”.
At Belushi foli me pathos për Skënderbeun duke e quajtur atë Shqiptarin e parë që diti të bashkonte shqiptarët. Ai porositi të rinjtë ta duan njëri-tjetrin, por mos harrojnë të duan vendin e tyre dhe mbi të gjitha të mos ndjejnë ndroje për të thënë me mburrje se “jemi shqipëtarë”.