Në kuadër të aktiviteteve të përbashkëta të Departamentit të Shkencave Politike dhe Institucioneve nga Lugina e Preshevës, më datë 1 shkurt 2018, përfaqësues të Organizatës Kulturore Humanitare “Shpresa” vizituan për herë të dytë “Universiteti Barleti”, duke prezantuar, në një tryezë të rrumbullakët, aktivitetin me temë: “Lokalitetet Arkeologjike të Luginës së Preshevës”.
Mirëseardhja e të ftuarve dhe prezantimi i aktivitetit u mbajtën nga Shefi i Departamentit të Shkencave Politike, Prof. As. Dr. Reis Mulita.
Në fjalën e tij të përshëndetjes, Rektori i “Universiteti Barleti”, Prof. Dr. Marenglen Spiro, u shpreh: “Të rinjtë nga Presheva janë bashkëkombësit dhe vëllezërit tanë dhe mirëseerdhën”!
E lumtur që këto marrëdhënie me këta të rinj po thellohen gjithnjë e më shumë, Pro-Rektore Akademike, Prof. As. Dr. Zamira Çavo, në fjalën e saj të pritjes u shpreh se nisma dhe bashkëpunime të tilla duhet të konkretizohen në projekte midis të rinjve të këtyre institucioneve duke marrë më të mirën nga njëri-tjetri.
Nevzad Lutfiu, Kryetari i Organizatës, në fjalën e tij të përshëndetjes falenderoi Departamentin e Shkencave Politike për gatishmërinë, që ofron për të mirëpritur të rinjtë dhe aktivitetet e kësaj organizate dhe ftoi për të vizituar Luginën e Preshevës, jo vetëm të gjithë pjesëmarrësit, por këdo që ka dëshirë të vizitojë këtë trevë shqiptare. “Ne do të jemi të mirë dhe të dobishëm, kur të mund t’i shërbejmë njëri-tjetrit, dhe jemi të nderuar që vizitojmë sot universtitetin tuaj, për të prezantuar një pjesë të vogël të vendit tonë” ishte mesazhi i tij emocionues dhe i të rinjve që ai përfaqëson.
Sipas axhendës, aktiviteti vijoi me prezantimin e “Lokaliteteve të Luginës së Preshevës” nga dy të rinj: Sead Bislimi dhe Fidan Hajredini.
“Pellgu i luginës së Preshevës, është përplot i mbushur me argumente arkeologjike, të cilat na bëjnë të kuptojmë se dikur këtu ka jetuar një popull, i cili ka qenë mjaft i civilizuar” nënvizuan ata në fillim të prezantimit dhe këtë e dëshmuan objektet që u prezantuan siç ishin: Kalaja e Preshevës e ndërtuar në shek. e III p.e.s nga fisi Dardan, monedha dhe unaza të shek. të X p.e.s, Shpella e Ilincës e Malësisë së Preshevës, Ura e Komunës Bujanovc e ndërtuar në shekullin e III-IV të e.s, lokacione antike, objekte fetare si Kisha iliro-romake në fshatin Sumulicë apo edhe Xhamia në fshatin Tabanoc, etj.
Në përfundim, mes të rinjve të “Universiteti Barleti” dhe të rinjve nga Presheva u shkëmbyen vlerësime reciproke dhe u theksua nevoja e zhvillimit të mëtejshëm të këtyre aktiviteteve dhe e thellimit dhe konkretizimit të marrëdhënieve të ndërsjellta.