Në kuadër të projektit ERASMUS +, financuar nga Komisioni Evropian, më titull “Mbështetje Strategjike në forcimin e strukturave për sigurimin e cilësisë në institucionet jopublike të arsimit të lartë në Shqipëri” (QainAL), “Universiteti Barleti”, u përfaqësua në vizitën studimore, në Universitetin Politeknik të Bukureshtit, në Bukuresht, Rumani në datat 13-15 nëntor 2017 nga pedagoget: Dr. Migena Kapllanaj, Drejtuese e Zyrës së Cilësisë, Dr. Jonida Begaj Koordinatore e Performancës dhe Drnt. Eurona Leka, Ma, në cilësinë e Koordinatores së Projektit.
Vizita, e katërt në rradhë, ofroi një trajnim intensiv tri-ditor mbi praktikat dhe sistemet e përdorura nga ky universitet mbi sigurimin e cilësisë, kërkimin shkencor, mënyrën e vlerësimit të kërkimit si edhe procedurat e vlerësimit në programet master dhe ato doktorale, gjithashtu në fokus të këtij trajnimi ishte edhe përgatitja e planit të veprimit mbi sigurimin e cilësisë së institucioneve të arsimit të lartë.
Gjatë ditës së parë pjesmarrësit u njohën me ambientet e Universitetit, si edhe me procedurat e sigurimit të cilësisë në përgjithësi nga ky universitet. Vijuan më pas prezantimet e secilit prej universiteteve partnere mbi procedurat e sigurimit të cilësisë në programet master. Për “Universiteti Barleti”, prezantimi mbi këtë aspekt u realizua nga Dr. Migena Kapllanaj.
Gjatë ditës së dytë trajnimi kishte në fokus procedurat mbi sigurimin e cilësisë në programet doktorale për secilin nga institucionet, i cili u shoqërua me sjelljen e rasteve konkrete nga institucionet pjesmarrëse. Trajnimi vijoi me prezantimin nga Universiteti i Bukureshtit mbi standardet për sigurimin e cilësisë për institucionin dhe për programet e studimit. Trajnimi përfundoi me një sesion brainstorming, gjatë të cilët insitucionet u ndanë në grupe dhe diskutuan mbi output-et e sigurimit të cilësisë; mënyrat për t’i shtuar; indikatorët e përshtatshëm për sigurimin e cilësisë; incentivat e kërkimit dhe fondet e nevojshme.
Gjatë ditës së tretë trajnimi përfshinte aspektin e zhvillimit dhe të përmirësimit të pyetsorëve të vlerësimit të mësimdhënies dhe përvijoi me një diskutim nga secili nga Institucionet e pranishme në lidhje me mënyrën e vlerësimit dhe tipologjinë e pyetsorëve të përdorur.
Në takim morën pjesë përfaqësues nga të gjitha Universitetet partnere (“Universiteti Barleti”, Universiteti Europian i Tiranës, Universiteti i New York-ut, Universiteti Polis, Universiteti Epoka), gjithashtu pati përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe Sportit si edhe nga Agjensia e Akreditimit.
Takimet konkluduan me prezantime nga Universitetet përfituese mbi kapacitetet aktuale dhe përmirësimet e nevojshme në kuadrin e projektit me fokus kryesor sigurimin e cilësisë në mësimdhënie dhe kërkim shkencor.