Organizimi i programeve universitare që i përgjigjen nevojave të një tregu dinamik pune.
Ditën e Martë, me datë 14 Nëntor 2017, ora 11:30 u organizua nga Dekanati i Studentëve të Universitetit Barleti në bashkëpunim me Institutin Adriapol për Zhvillim Inteligjent dhe Krijues, Auditori i Hapur me temë: Sfida e arsimit profesional universitar në Shqipëri: ku jemi me nivelin e pestë të skemës evropiane të kualifikimeve?
Të ftuarit e javës për të diskutuar me studentët dhe pedagogët ishin, Znj. Linda Pustina, Drejtore për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin në Ministrinë e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, Znj. Sonila Limaj, Drejtore e Agjensisë Kombëtare së Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve.
Në auditor u diskutua për aftësimin professional, punësimin dhe sfidën e përgatitjes së programeve universitare që i përgjigjen dinamikave të tregut të punës, arsimin profesional universitar dhe kategoritë profesionale të kornizës evropiane të profesioneve. Sipas fjalës hapëse të Rektorit të Universitetit Barleti, Prof. Dr. Marenglen Spiro, diskutimi për këtë temë është në përputhje me vizionin e universitetit për të zhvilluar programe profesionale pranë universitetit për të rritur gamën e programeve që ofrohen, por në të njëjtën kohë për të qenë më pranë tregut të punës dhe punësimit të të rinjve në Shqipërinë e sotme.
Të ftuarat në këtë auditor, diskutuan si për sfidën që paraqet organizimi i programeve universitare që i përgjigjen nevojave të një tregu dinamik pune ashtu edhe për sfidën e përafrimit të kornizës shqiptare të profesioneve me atë evropiane. Me detaje ato treguan për hapat që po ndërmerren për krijimin e programeve profesionale universitare dhe përputhjen e tyre me kategorinë e pestë të kornizës evropiane të kualifikimeve; alternativat që ofrojnë programet profesionale pas shkollës së mesme si një zgjedhje për të përballuar konkurrencën në tregun e punës; rëndësinë që po marrin këto lloj programesh në Shqipëri nisur edhe nga mangësitë që ka tregu shqiptar për profesionistë të kualifikuar; si edhe përputhjen e programeve dhe aftësive të fituara me kornizën evropiane të kualifikimeve dhe me nevojat e tregut në Shqipëri.
Diskutimet që pasuan e lidhën temën e auditorit me konceptet e Triple Helix (universitet - qeveri - biznes) që sjellin së bashku palët e interesuara për zhvillimin rajonal dhe mundësitë që kanë institucione si Barleti për të zhvilluar më tej ofertën profesionale si në nivelin e pestë por edhe për trajnime në fushën e edukimit dhe fusha të tjera akademike. Instituti Adriapol në këtë kuadër po bashkëpunon me Rajonin 3 për të nxitur rritjen në nivel lokal duke përfshirë aktorët shtetërorë, ata akademikë dhe biznesin, sepse beson që bashkëpunimi mes tyre nxit punësimin dhe rrit mundësitë për trajnim në bazë të nevojave të tregut rajonal.