Transformimi i Gjimnazit "Aleksandër Moisiu"
në hapësirë për zhvillim aftësish duke përfshirë Komunitetin
Bashkia e Kavajës do të zhvillojë projektin për “Transformimin e Gjimnazit ‘Aleksandër Moisiu’ në një hapësirë për zhvillim aftësish duke përfshirë Komunitetin” me mbështetjen e Ministrisë së Financave dhe i financuar nga programi i Qeverisë Italiane IADSA që do të zbatohet në partneritet me Institutin Shqiptar për Çështjet Publike.
Projekti synon transformimin e shkollës së mesme të Kavajës në një qendër për përfshirjen sociale duke zhvilluar aftësitë e nxënësve përmes një iniciative shumëpalëshe që jo vetëm do të përmirësojë cilësinë e mësimdhënies por edhe do të rrisë rolin e shkollës si përshpejtues i nismave lokale që promovojnë identitetin ekonomik social të zonës.
Krahas rehabilitimit të shkollës në tërësi si infrastrukturë fizike projekti do të merret edhe me krijimin e laboratorëve të nevojshëm për rritjen e cilësisë së mësimdhënies. Aktivitetet në këto laboratorë për nxënien e profesioneve do të jenë të hapur edhe të rinjtë që kanë mbaruar më herët të përmirësojnë njohuritë e të zhvillojnë idetë krijuese duke i zbatuar në hapësirat e krijuara si “Maker Space” në ish shkollën e tyre.
Zbatimi i projektit do të gërshetohet me trajnimin e kualifikimin e mëtejshëm të mësuesve e drejtuesve të shkollës me synim rritjen cilësore të mësimdhënies si mësimdhënia alternative dhe të nxënit aktiv që do të motivojë përfshirjen e komunitetit në procesin e mësimdhënies dhe të nxënit në shkollë.
Një ndër fushat ku do të investojë projekti është edhe biblioteka e shkollës e cila do të pajiset me rafte dhe libra për të qenë sa më e përdorshme dhe e dobishme për nxënësit, mësuesit e komunitetin përreth. Veprimtari për të rritur dëshirën për të lexuar e konkurse letrare do të zhvillohen në mjediset e reja të bibliotekës me synimin e tërheqjes së lexuesve edhe nga komuniteti e prindërit për të gjallëruar bashkëpunimin mes tyre duke frymëzuar veprimtari më cilësore edukuese e shkencore.
Investimi i këtij projekti në shkollën e mesme të përgjithshme “Aleksandër Moisiu” nuk do të kufizohet vetëm tek nxënësit e regjistruar në shkollë, por edhe te të rinjtë e tjerë të komunitetit që do të marrin pjesë në programet e ndryshme jashtëshkollore. Më e rëndësishmja, realizimi i këtij projekti krijon mundësinë për të zhvilluar një model që mund të përsëritet në të gjithë vendin.