Në kuadër të Projektit QAinAL, një projekt i bashkëfinancuar nga Programi Erasmus+ i Bashkimit Europian, i fokusuar në mbështetjen strategjike për fuqizimin e strukturave të sigurimit të brendshëm të cilësisë në institucionet private të arsimit të lartë në Shqipëri, u organizua në “Universiteti Barleti” në datat 23-24 mars 2017 Tryeza e Rrumbullakët mbi rëndësinë dhe sfidat e procesit të akreditimit në institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri.
Qëllimi i kësaj tryeze të rrumbullakët ishte diskutimi midis pesë universiteteve partnere në këtë projekt (Universiteti Epoka, Universiteti Europian i Tiranës, “Universiteti Barleti”, Universiteti i New York-ut në Tiranë dhe Universiteti Polis) dhe institucioneve kryesore mbështetëse të arsimit të lartë në Shqipëri mbi sigurimin e cilësisë, procesin e akreditimit institucional si edhe sfidat dhe perspektivat e arsimit të lartë në Shqipëri.
Aktiviteti u përshëndet nga Rektori i “Universiteti Barleti”, Prof. Dr. Marenglen Spiro, i cili theksoi në fjalën e tij rëndësinë e projektit në promovimin e sigurimit të cilësisë në institucionet e arsimit të lartë. Profesor Spiro evidentoi se kjo tryezë e rrumbullakët do të shërbejë për të forcuar më tej mekanizmat e sigurimit të brendshëm të cilësisë, nëpërmjet ndarjes së eksperiencave më të mira të partnerëve dhe identifikimin e mundësive për përmirësime të mëtejshme. “Universitetet private përveçse janë përfshirë në procesin e akreditimit institucional me agjensinë britanike, ku siç dihet “Universiteti Barleti” doli shkëlqyeshëm, përsëri janë shumë aktivë në trajnime apo për çështje të sigurimit të cilësisë, fakt ky që përbën edhe pikën kryesore të ligjit të arsimit të lartë.
Diskutimi vijoi më pas me fjalën e Prof. Peter Eckl, nga Universiteti i Salzburgut në Austri, universiteti drejtues i këtij projekti, mbi rëndësinë dhe sfidat e procesit të akreditimit.
Sipas axhendës Z. Egest Gjokuta, përfaqësues i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, mbajti një prezantim të shkurtër mbi përfitimet në arsimin e lartë në Shqipëri si rezultat i marrëveshjes me Agjensinë Britanike të Akreditimit. Diskutimi i tij do të pasohej nga fjala e Z. Tildi Çadri, përfaqësues i Agjensisë së Akreditimit, në cilësinë e Përgjegjësit të Sektorit dhe të Promovimit të Cilësisë. Në fjalën e tij Z. Çadri do të theksonte rëndësinë dhe sfidat e sigurimit të cilësisë dhe të procesit të akreditimit në Institucionet e Arsimit të Lartë në Shqipëri.
Me interes ishin edhe prezatimi i Z. Jean Paul Braghin, Drejtor i Shërbimit për Planifikimin dhe Menaxhimin, nga Universiteti i Xhenovas, Itali, mbi “Reformën e sistemit universitar në Itali” si edhe prezantimi i Dr. Costin Chiru, nga Universiteti Politeknik i Bukureshtit në Rumani, i cili solli praktikën e vlerësimit të kurseve nga studentët si edhe format e ndryshme të vlerësimit për sigurimin e cilësisë.
Dita e parë u mbyll me diskutime midis universiteteve partnere si edhe përfaqësuesve të Ministrisë dhe Agjensisë së Akreditimit.
Gjatë ditës së dytë, më datë 24 mars 2017, u realizuan si fillim dy prezantime nga “Universiteti Barleti” dhe Universiteti Europian i Tiranës, si dy nga universitetet e para private që kaluan me sukses procesin e vlerësimit të jashtëm nga Agjensia Britanike. Për “Universiteti Barleti”, prezantoi Dr. Robert Gjedia, ndërsa për Universitetin Europian të Tiranës Prof. As. Dr. Hemion Braho. Si Dr. Gjedia ashtu edhe Prof. As. Dr. Braho sollën për të pranishmit praktikat më të mira të këtij procesi, mënyrn e zhvillimit të tij dhe ishin të hapur për pyetje dhe kureshtje nga Universitetet e tjera, në prag të këtij procesi të rëndësishëm.
Do të vijonin më pas prezantimet dhe diskutimet nga Universiteti i New York, Universiteti Polis dhe Universiteti Epoka mbi sfidat dhe problemet që po hasin si rezultat i procesit të vlerësimit të jashtëm afatet që duhet të përmbushin për dërgimin në kohë të raportit të vlerësimit.
Një vend të veçantë iu kushtua prezantimeve nga studentët e universiteteve partnere mbi rolin e tyre aktiv gjatë procesit të sigurimit të cilësisë dhe atij të akreditimit. Studentët sollën shembuj konkretë të përfshirjes së tyre. Gjithashtu u theksua rëndësia e funksionimit real të Unionit të Studentëve.
Prezantimet nxorrën në pah dhe disa nga sfidat kryesore me të cilat hasen institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri, si mungesat në kuadrin ligjor, nevoja dhe domosdoshmëria e një kulture të re për vetvlerësim, studimet profesionale dhe mundësitë e punësimit të studentëve në përfundim të ciklit të studimeve.
U theksua gjithashtu rëndësia e forcimit të Universitetit Shtetëror, pasi vetëm në këtë mënyrë do të krijohet një klimë e vërtetë konkurrence midis institucioneve publike dhe private të arsimit të lartë.
Ky event do të shërbejë si një mundësi për të prezantuar projektin si edhe përfitimet e tij në arsimin e lartë në Shqipëri.