Më datë 22 Shkurt 2017, u mblodh për herë të parë në Tiranë komuniteti i Inteligjencës Artificiale (Artificial Intelligence). Ngritja e këtij komuniteti u mundësua nga Instituti Adriapol, City AI në Berlin dhe të rinj të apasionuar nga Shqipëria. Takimi i parë i këtij grupi u zhvillua në mjediset e Godinës së Inovacionit në Tiranë, zgjati më shumë se dy orë dhe pati një pjesëmarrje prej më shumë se 100 të rinjve.
Synimi kryesor i ngritjes së këtij komuniteti është të mbledhë të rinj me interesa të përbashkëta në lidhje me AI. Ne duam të krijojmë një komunitet që do të sjellë të rinjtë së bashku për të diskutuar, ndarë përvojat, të organizojnë konferenca, seminare dhe shpresojmë që në të ardhmen të botojmë një revistë periodike për të gjithë anëtarët - thotë njëri prej organizatorëve, Erlis Hasa nga Instituti Adriapol. Më tej, ai shton se komuniteti do të punojë me shumë përkushtim dhe do të përpiqen për të zgjidhur problemet e IA dhe të punojë së bashku me qëllim fuqizimin e njëri-tjetrit në këtë fushë dhe jo vetëm.