Në vijim të veprimtarive kërkimore shkencore, Departamenti i Drejtësisë i “Universiteti Barleti”, organizoi Tryezën Universitare me temë “Puna e fëmijëve në Shqipëri”. Në këtë aktivitet morën pjesë referues ekspertë të së drejtës, pedagogë dhe studentë të drejtësisë dhe shkencave politike.
Në Tryezën universitare, e cila u zhvillua përgjatë datës 2 shkurt 2016, pjesëmarrësit ndoqën me vëmendje referimin e Drejtorit Ekzekutiv të Institutit SEDA, Ergis Sefa, i cili shtjelloi në rrafshin teorik dhe praktik konceptet e punësimit, zënies me punë, mbrojtjes së fëmijës, format më të këqija të punës së fëmijëve, etj., si dhe gjendjen aktuale të nivelit të punës së fëmijëve në Shqipëri, të konkretizuar me të dhëna në terren, sipas një raporti me një metodologji mikse, sasiore dhe cilësore dhe rekomandimet për parandalimin dhe reduktimin e këtij fenomeni.
Përfaqësuesja e organizatës “Save the Children”, shpjegoi se ky aktivitet është në vazhdën e nismave të përbashkëta të kesaj organizate dhe Avokatit të Popullit.
Referuesit ju përgjigjën pyetjeve të auditorit, të cilat ishin të shumta dhe aktiviteti u shndërrua në një bisedë interaktive lidhur me aspekte të ndryshme të punësimit të fëmijëve dhe identifikimin e rrugëve ligjore dhe shoqërore për ndalimin apo reduktimin në maksimum të këtij fenomeni negativ.