Armand Duka, President i Federatës Shqiptare të Futbollit, ishte i ftuar ditën e djeshme, datë 28 janar 2016 në ambjentet e kampusit 2.
Z. Duka i shoqëruar nga Rektori i Universitetit Prof. Dr. Marenglen Spiro dhe Z.Gafurr Dudaj vizitoi ambjentet sportive moderne dhe u prezantua për të folur në nje auditor te zgjedhur studentesh të degës së sportit, duke treguar përpjekjet e tij, si Armand dhe institucionit që drejton.
Ai bëri një rezyme rreth arritjeve në biznesin personal. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka theksoi se sporti ka për qëllim përcuarjen e vlerave të shëndosha për të gjithë të rinjtë, duke nënvizuar se fitorja në vetvete nuk duhet të jetë objektivi kryesor dhe çdo disiplinë sportive duhet parë si një lojë. Ecuria fantastike e Kombëtares Shqiptare dhe e Skënderbeut në Kupat e Europës ishin në fokusin e kreut të Federates që analizoi arritjet historike të futbollit shqiptar në vitin 2015.
“Asgje nuk vjen rastësisht, asgjë nuk bëhet në një minutë. Në sport dhe në art pjesa e spektaklit është e vogël por koha e përgatitjes së këtij spektakli është e madhe. Skënderbeu është një shëmbull i mirë por nuk është shembull i mirë i organizimit të një klubi futbolli pasi klubi duhet ta sigurojë të ardhmen e tij nga lojtarët që vijnë nga vetë klubi dhe jo nga biznesi”.
Kualifikimi i Shqipërisë në Euro 2016 për Dukën është një sukses historik sepse u arrit për herë të parë. Por kreu i federatës beson se pa presion mbi supe, skuadra Kombëtare mund të shkojë edhe më larg.
“Unë dhe të gjithë ne dëshirojmë ta shikojmë këtë arritje. Ekipi nuk duhet të ketë presion, por jam shumë i sigurtë që duke luajtur me dëshirë, i kemi të gjitha mundësitë për të arritur diçka. Po bëjmë përpjekjet maksimale që çdo gjë të jetë në shërbim të ekipit”.
Në fund të leksionit përpara studentëve Z. Duka theksoi se institucioni që drejton duhet të nxisë politika që klubet, bashkitë apo pushteti qëndror të investojnë në hapësirat sportive.
Presidenti i FSHF, u percoll me duartrokitje nga te pranishmit pas perfundimit te aktivitetit.