Një lajm i mrekullueshëm vjen nga Athina ku u zhvillua konkursi ndërkombëtar i debatit Athens Open 2015 i cili ishte në edicionin e tij te 25-të. Për herë të parë në të mori pjeë një skuadër shqiptare, e cila u përfaqësua nga ekipi i “Universiteti Barleti” nën udhëheqjen e pedagoges së departamentit të drejtësisë, Elona Bano. Në të merrnin pjesë 24 skuadra nga vende si SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Polonia, Kanadaja, Rusia, Greqia, Turqia etj. Konkursi ndërkombëtar botëror organizohet nga Deree College Debatin Club pranë American College of Greece.
Ky konkurs konsistonte në debatin dhe argumentimin sipas modelit të Parlamentit britanik, ku secili folës ka në dispozicion 7 minuta për të argumentuar pozicionin e tij si përfaqësues i qeverisë apo opozitës dhe secila skuadër e përbërë nga dy anëtarë ka gjithsej 14 minuta në dispozicion. “Universiteti Barleti” u përfaqësua nga studentet e vitit të tretë financë - kontabilitet: Edra Mjeshtri dhe Erda Uka si dhe nga studentet e vitit të tretë drejtësi: Sara Agolli dhe Dorina Terziu.
Edhe pse hera e parë në një konkurs kaq prestigjioz, skuadra e UB u prezantua në mëyrë dinjitoze duke diskutuar mbi temat e caktuara me short si:
Raundi i Pare: Kjo dhomë e parlamentit do të taksojë institucionet fetare në nivelin e bizneseve fitimprurëse. Argumentet pro si përfaqësues i qeverisë dhe argumentet kundër si përfaqësues i opozitës.
Raundi i Dytë: Kjo dhomë e parlamentit do të mirëpresë me ligj kandidatët kundra rrymë si Bernie Sanders, Donald Trump dhe Jeremy Corbyn. Argumentet pro si përfaqësues i qeverisë dhe argumentet kundër si përfaqësues i opozitës.
Raundi i Tretë: Kjo dhomë do të mbështesë nxjerrjen e të dhënave nga Ashley Medison.
Gjithsej ishin pesë raunde nga ku skuadra jonë mori pjesë në tre prej tyre dhe rezultoi me një paraqitje dinjitoze.
I urojmë suksese të mëtejshme ekipit të UB i cili tregoi edhe njëherë se në Universitetin tonë zhvillohet mësim me metodat më të përparuara ndërsa studentët barletas janë të përtgatitur dhe gati të konkurrojnë denjësisht me studentët e universiteteve më të mira në botë. Edhe njëherë UB ishte ambasadori shqiptar u botës së dijes.