Foto Galeria
 

Memorandum bashkëpunimi midis Shluj "Universiteti Marin Barleti" dhe Zyrës Shqiptare për të Drejtën e Autorit


Ditën e enjte, datë 16.07.2015 në ambjentet e Shluj "Universiteti Marin Barleti ", u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit midis Shluj "Universiteti Marin Barleti "dhe Zyrës Shqiptare për të Drejtën e Autorit.

Shluj "Universiteti Marin Barleti' dhe Zyra Shqiptare për të Drejtën e Autorit kanë objektiv të lehtësojnë njohjen e së drejtës së autorit dhe të drejtave të lidhura me të për subjektet e së drejtës në përgjithësi.

1. E drejta e autorit dhe të drejtat e lidhura me të janë një shtyllë e rëndësishme e të drejtave personale të njeriut si garanci kushtetuese që çdo individ mund të krijojë dhe përdorë frytet e punës së tij krijuese në mënyrë të lirë, por pa cënuar lirinë e individëve të tjerë në këtë aspekt;
2. E drejta e autorit është e rëndësishme për ngritjen dhe zhvillimin e një veprimtarie të qëndrueshme shkencore, akademike, ekonomike, e cila bazohet apo lidhet me përdorimin, shfrytëzimin, tregtimin dhe tjetërsimin e veprave artistike, kulturore dhe shkencore të mbrojtura nga Ligji për të Drejtën e Autorit dhe të Drejta të tjera të lidhura me të;
3. Ekziston një nevojë imediate për njohjen dhe mbështetjen ligjore dhe institucionale të së drejtës së autorit dhe të drejtave të lidhura me të, si dhe për kufijtë e ushtrimit të kësaj të drejte në drejtim të veprimtarisë kërkimore, shkencore dhe akademike.

Prioritet i ZSHDA është promovimi dhe përmbushja e objektivave te përgjithshme për mbrojtjen e të drejtave të autorit dhe të drejtave të lidhura, si dhe të drejtave të studentëve dhe kandidatëve për marrjen e titujve akademikë që krijojnë/ kryejnë punime shkencore, kërkimore, akademike e universitare por gjithashtu dhe rëndësinë e ndërgjegjësimit publik mbi të drejtën e autorit dhe të drejtave të lidhura, përsa i përket kontributit të rëndësishëm të ZSHDA në mbrojtjen dhe garantimin e të drejtës së autorit në njërën anë, por dhe të respektimit të të drejtave të titullarëve të ligjshëm të cilët cenohen rëndë moralisht, ekonomikisht, administrativisht, etj nga plagjiatura, pirateria dhe përdorimi i paligjshëm i veprave të mbrojtura, nga ana tjetër.

Memorandumi i Bashkëpunimit u nënshkrua nga Prof. Dr. Marenglen Spiro ,Rektor i Shluj "Universiteti Marin Barleti" dhe Z. Evien Dako, Drejtor i Zyrës Shqiptare për të Drejtën e Autorit.