Ditën e enjte, dt 4 qershor 2015, katedra Jean Monnet pranë "Universiteti Barleti" dhe Fondacioni Fridrich Ebert Stiftung organizuan leksionin e hapur me temë Integrimi në BE si një forcë shtytëse për realizimin e reformave të brendshme. I ftuar nderi ishte z. Josip Juratovic ( SPD), Zëvendës Kryetar i Grupit Parlamentar për Miqësinë dhe Marrëdhëniet me Shtetet e Evropës Jug - Lindore në Bundenstagun Gjerman. Takimin e moderoj, Dr. Dorian Jano, drejtor i katedrës Jean Monnet.
Z. Juratovic në diskutimin e tij pasqyroj në mënyrë të drejtpërdrejtë problematikën reale të vendeve të rajonit si dhe forcën dhe potencialet e këtyre vendeve për të krijuar një demokraci funksionale dhe për t’u integruar në Bashkimin Evropian.
Në fjalën e tij, z. Juratovic vuri theksin në rëndësinë e reformave të brendshme në të mirë të vendeve kandidate dhe jo si një detyrë e kërkuar nga Bashkimi Evropian. Vendet e rajonit përballen me promlematika të njëjta si punësimi i të rinjve, reforma në drejtësi etj. Por një pjesë e elitave të bendshme apo grupe të caktuara nuk tregojnë interes për të bashkëpunuar dhe adresuar këto sfida, si rrjedhojë vëmendja e tyre përqëndrohet në retorika boshe dhe nxitje të lëvizjeve nacionaliste. Elitat e brendshme humbin më shumë kohë duke diskutuar për gjëra të cilat nuk realizohen dhe asnjëherë nuk flasin për gjërat të cilat bëhen mirë. Politika duhet të jetë një garë me premisa për ndryshim të çështjeve konkrete dhe jo retorikë. Demokracia kërkon kompromis dhe bashkëpunim midis aktorëve, jo justifikime pa vlerë. Detyra e të zgjedhurve është të dëgjojë nevojat e shtetasve të vet si dhe të jetë gjithëpërfaqësuese. Për më tepër, bazuar edhe mbi disa vlera Evropiane, liria duhet të jetë përgjegjësi dhe solidariteti duhet të nënkuptojë respekt të ndërsjelltë.
Në mbyllje të takimit pati pyetje dhe diskutime nga pedagogë të UB-së rreth mekanizmave të krijimit të një demokracie funksionale në vendet e rajonit si dhe sfidave të të majtës dhe reformave sociale në Evropë.