Në datat 8 dhe 9 maj u zhvillua në Durrës, tek Hotel “Adriatik”, Forumi i Dytë Ndërkombëtar mbi Ekonominë Kreative. Forumi u organizua me iniciativen e Insititutit Adriapol, në bashkëpunim me Universitetin ”Barleti”, si edhe me mbështetjen e Këshillit të Ministrave.
Forumi mbi Ekonominë Kreative kishte si synim të bëjë bashkë politikëbërësit e vendit dhe ata ndërkombëtarë, ideatorë dhe drejtues të ekonomisë dhe biznesit për të diskutuar gjëndjen aktuale dhe trendet e së ardhmes që lidhen me risinë, kreativitetin dhe konkurencën e ekonomisë dhe shoqërisë. Fokusi kryesor ishte të nxjerrë në pah se si arti, njerëzit kreativë, industritë kulturore mund të kontribuojnë në ekonominë dhe jetën sociale të një vendi, duke bërë qytetarët e shtresave të ndryshme, pjesë të këtij zhvillimi.
Forumi nisi punimet me një temë drejtuese që parapriu të gjithe diskutimet e tjera: “Drejtuesit e Ekonomisë Kreative”, moderuar me mjeshtri nga z. Giovanni Shciuma, Drejtor i Innovation Insight Hub të Universitetit të Arteve në Londër. E para që mori fjalën jo vetëm për të përshëndetur Forumin, por dhe për të paraqitur hapat që ka bërë Shqipëria në fushën e inovacionit dhe kreativitetit ishte znj. Milena Harito, ministre e Inovacionit dhe Administratës Publike. Fjala e saj u pasua nga Shkëlqesia e tij, ambasador i Italisë në Republikën e Shqipërisë, z. Massimo Gaiani, mik i përhershëm i Forumit dhe shkëlqesia e saj, znj. Dewi van de Weerd, ambasador i Mbretërisë së Hollandës në Republikën e Shqipërisë. Z. Giordano Dichter nje nga drejtorët e EBN, Bruksel dhe senatori italian Maurizio Saia, shpalosën eksperiencën e tyre duke dhënë dhe një ide më të qartë se ku qëndron pikërisht suksesi i Drejtuesve të Ekonomisë Kreative.
Në ditën e parë të forumit u diskutuan gjithashtu temat mbi “Vëndet Kreative”, dhe “Njerëzit Kreativë”. Tryeza e Vëndeve Kreative u moderua nga znj. Anna Bruna Menghini, profesor i Fakultetit të Arkitekturës, Universitetit Politeknik i Barit, ndërsa peshën krysore të diskutimeve e mbajti z. Gjon Radovani, zv/ministër i Zhvillimit Urban, i pasuar nga z. Armend Vokshi, shef i Administartës Publike në komunën e Gjakovës si dhe dy arkitektë të njohur shqiptarë Maksim Mitrojorgji dhe Arben Biçoku. Ndërhyrja e z. Jordi Subiras themelues dhe drejtues i Betahause Barcelona, ishte një pasqyrim real i asaj se si duket një vënd kreativ.
Tryeza e “Njerëzve Kreativë” u hap nga zonja Esmeralda Shkjau, deputete e qytetit mikpritës, Durrësit dhe më pas vazhdoi nga njerëz që tashmë mbajnë pas emrit të tyre epitetin kreativ si z. Maximilian von der Ahe, themelues dhe drejtor i Betahause Berlin, znj. Valbona Karakaçi, Menaxhere programi i Helvetas Swiss Intercorporation, dhe z. Vincenzo Bellini, drejtor i Rajonit Kreativ Pulia. Tryeza u moderua, sigurisht me mjaft kreativitet nga z. Frank Hantke, drejtor i Fondacionit Friedrich Ebert në Shqipëri.
Në ditën e dytë të punimeve të Forumit, u diskutuan dy tema të rëndësishme të konceptuara me shumë si tryeza pune dhe bashkëbisedimi.
Tryeza e pare, “Audovizualja si një promovues i industrive Kreative” u moderua z. Luigi De Luca drejtor i Apulia Film Commisssion, ndërsa pjesë aktive e kësaj tryeze pune për të shkëmbyer eksperiencat e tyre ishin z. Franco Ungaro, menaxher projektesh, z, Dimitar Nikolov, këshilltar në kompaninë Cutaway, z, Darko Bashevski, Drejtor i Agjencisë Maqedonase të Filmit, z. Erion Ndrecka, Drejtor i Njësisë për Përgjegjësinë e Korporatave AMC.
Tryeza e fundit “Rrjete dhe bashkëpunime” ishte koncpetuar për të dhënë mesazhin e qartë se rrjetet e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, janë aktorët dhe faktorët kryesorë të një Ekonomie Kreative. Pjesë e kësaj tryeze përmbyllëse, moderuar nga znj. Jetona Myteveri, për të paraqitur idetë, eksperiencat por dhe mesazhin e tyre ishin z. Vincenzo Bellini drejtor i Rajonit Kreativ Pulia, z. Giovanni Shciuma, Drejtor i Innovation Insight Hub të Universitetit të Arteve në Londër dhe znj. Esmeralda Hasani drejtore e Forumit.
Krahas të gjithë pjesëmarrësve të cilët shpalosën idetë e tyre profesionale si dhe platformat konkrete per Ekonominë Kreative, pjesë e rëndësishme e Forumit, ishin dhe sponsorët të cilët i besuan dhe e mbështetën me dashamirësi këtë iniciativë të Insititutit Adriapol dhe Universitetit Barleti. Falenderime pa fund sponsorit gjeneral, Fondacionit Friedrich Ebert, sponsorëve të tjerë: Expo Tirana dhe GIZ.
Forumi “Ekonomia Kreative”, i dyti në rradhë, tashmë nuk është vetëm një iniciativë, por një platformë e konsoliduar për vënien në jetë të projekteve të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë kreative dhe më gjërë.