Revista shkencore Südosteuropa: Journal for Policy and Society është një botim i Institutit për Studime të Europës Lindore dhe Juglindore në Universitetin e Regensburg-ut në Gjermani. Ajo trajton çështje të politikës, ekonomisë, shoqërisë dhe kulturës së Europës Juglindore, dhe që nga viti 1952 ofron për komunitetin akademik, analiza dhe ekspertizë mbi rajonin. Në numrin e ri të revistës, një seksion i veçantë i është kushtuar analizave politike në lidhje me reagimet ndaj krizës Ukrainase.
Dr. Dorian Jano boton në këtë numër të revistës Südosteuropa artikullin shkencor me temë ‘Reagimi dhe Përdorimi Kosovar i Krizës Ukrainase’. Artikulli analizon diskursin rreth krizës Ukrainase, dhe dimensionet e pozicionimit dhe legjitimitetin e përdorimit nga dhe për Kosova(ën). Analiza fokusohet në ‘përdorimin politik’ të krizës Ukrainase. Synimi i këtij punimi nuk është thjesht pasqyrimi i reagimit ndaj krizava por më shumë kërkohet të kuptohet se si shtetet janë duke i përdorur ato.
Pavarësia e Kosovës është cituar si një precedent për të legjitimuar integrimin e Krime-së me Rusinë. Artikulli analizon nga njëra anë reagimet Kosovare ndaj përdorimit të pavarësisë së saj si një rast analog, dhe nga ana tjetër përdorimin e krizës Ukrainase nga Kosova. Diskursi zyrtar dhe ai publik rajonal, e përshkruan Kosovën si një “rast precedent” për të legjitimuar aneksimin e Krimesë ndërkohë që edhe vetë aneksimi i Krimesë nga Russia është përdorur si një argument për të kërkuar përshpejtimin e procesit të integrimit në BE dhe NATO ose për të forcuar pozitën e qeverisë kosovare në veri të Mitrovicës. Diferenca thelbësore ekzistojnë në ngjarjet që i paraprinë pavarësisë së Kosovës dhe asaj të Krimesë. Megjithatë, Kosova dhe vende të tjera, në mënyrë strategjike dhe selektive, kanë përdorur “krizën e Ukrainës” për interesat e tyre të brendshme. Analiza bazohet në konceptin e “përdorimit” dhe “diskursit komunikues”. “Përdorimi” këtu nënkupton shfrytëzimin që një aktor i bën një procesi, duke përfshirë të qënurit i përdorur por edhe i përdorimit të tij për një qëllim të caktuar. Përdorimi varet nga referencat diskursive, dmth retorikën dhe idetë të cilat nuk janë krejtësisht neutrale, por komunikojnë perceptime pozitive apo negative të cilat pastaj qarkullojnë dhe mund të influencojnë dhe transformojnë preferencat e brendshme. Reagimet mund të jenë të motivuar ose orientuara nga logjika e pozicionimit (p.sh. në rastin e Kosovës dhe Serbisë), ku qëllimi është të pozicionohesh përkrah aleatëve; ose logjika justifikuese, ku qëllimi është të fitosh mbështetje për një zgjedhje politike që tashmë është kryer (p.sh. në rastin e Rusisë).
Për më tepër shih: Südosteuropa 62(2): 238-249