Nga 13 deri më 28 korrik 2014 Universiteti i Roehamptonit në Britaninë e Madhe, hapi në Londër shkollën e verës “Për të drejtat e njeriut”. Morën pjesë 40 studentë nga universitete të ndryshme të rajonit të Ballkanit, pjesë e rrjetit tashmë funksional të Projektit “HEART - Të vëmë të drejtat e njeriut në zemër të arsimit të lartë” (2012-2014) financuar nga Programi Tempus i BE.
Universiteti Barleti u përfaqësua nga tre studentë, dy studente që ndjekin studimet e ciklit të parë, Melisa Llaka dhe Enxhi Gjinishi dhe studenti Erald Berdo, që ndjek studimet e ciklit të dytë në këtë Universitet.
Programi i shkollës së verës ndërthuri njohuritë teorike mbi të drejtat e njeriut, prezantuar nga profesorë britanikë të fushës me vënien në praktikë të tyre nëpërmjet punëve në grup dhe realizimit të projektit përfundimtar- rezultat i vëzhgimeve jashtë auditorëve të universitetit.
Studentët tanë prezantuan në përfundim të këtij programi punimin e tyre me temë: Bashkëjetesa e kulturave dhe e komuniteteve të ndryshme në Londër.
Punimi u shoqërua me foto, video, intervista në terren dhe postera, të cilat studentët i përgatitën në ditët e qëndrimit të tyre në Londër.
Në përfundim të këtij programi Universiteti Roehampton pajisi studentët me certifikatën e pjesëmarrjes në këtë veprimtari të rëndësishme, që i shërben filozofisë së projektit nw zbatim, për t’i kthyer universitetet në mjedise jo vetëm ku mësohet për të drejtat e njeriut, por edhe në modele të respektimit tyre.