Ditën e shtunë, 21 qershor 2014, në mjediset e Kampusit II të Universitetit Barleti, Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, z. Bledar Çuçi, mbajti një leksion të hapur mbi Reformën Administrative Territoriale në Shqipëri. Gjatë këtij aktiviteti studentët dhe pedagogët u njohën me reformën pa ndërmjetës, por drejtpërsëdrejti nga vetë Ministri i cili, midis të tjerash, shpjegoi vizionin, qëllimin, parimet dhe kriteret e ndjekura per hartimin e saj.
Z. Çuçi nënvizoi se vizioni i Reformës Administrative Territoriale është mbështetja dhe fuqizimi i pushtetit vendor në funksion të rritjes së efikasitetit të njësive të qeverisjes vendore, me qëllim: rritjen e efikasitetit dhe përmirësimin e cilësisë dhe aksesit të qytetarëve në shërbimet publike vendore; rritjen e burimeve financiare dhe aseteve për njësitë vendore; përmirësimin e mekanizmave të demokracisë përfaqësuese; fuqizimin e instrumentave të demokracisë direkte; rritjen e kapaciteteve te administratës vendore.
Parimet e ndjekura për hartimin e reformës janë pjesëmarrja gjithëpërfshirëse e aktorëve të interesit; konsultim i komunitetit në zonat respektive; mbështetje metodologjike e procesit nga ekspertë vendas dhe të huaj të organizuar në grupe teknike pune; zhvillimi i reformës në një periudhë optimale kohore, mbështetur në studimet e kryera më parë për këtë qëllim dhe përgatitja në kohë për zgjedhjet e ardhshme vendore; zhvillimi i reformës së ndarjes administrativo - territoriale në paralel me reformën e decentralizimit.
Për sa i përket kritereve të miratuara për ndarjen administrative territoriale Ministri theksoi se njësi të reja të pushtetit vendor mund të krijohen brenda kufijve të Rrethit, ose nga territoret e dy ose më shumë rretheve, vetëm nëse plotësohen këto kur: njësia e re e krijuar është një zone funksionale; distanca e territorit me qendrën e njësise lejon ofrimin e plotë të shërbimeve për qytetarët; njësia e re e krijuar respekton parimin e vazhdimësisë territoriale; ka një traditë historike dhe karakterizohet nga një lidhje tradicionale mes banorëve të të gjithë territorit të ri; ka një numër të konsiderueshëm banorësh (30.000).
Në mbështetje të arsyetimit të tij z. Çuçi solli fakte dhe shifra dhe u përqëndrua në zonën funksionale Lezhë, e cila pas realizimit të reformës do të ketë përfitime të konsiderueshme si: ulje të ngarkesës mesatare të administratës vendore për 1.000 banorë; reduktim të shpenzimeve administrative për frymë në masën 38%; mirëadministrim të burimeve që do të sjellë shtim në masën 47% të fondit për investime totale; rritje të buxhetit të investimeve për frymë.
Në fund të aktivitetit, pasi z. Çuçi iu përgjigj pyetjeve të ngritura nga studentët dhe pedagogët, Universiteti Barleti dhe Instituti Shqiptar për Çështjet Publike nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi me Ministrin e Shtetit për Çështjet Vendore, dhe njëkohësisht Koordinator Kombëtar kundër Korrupsionit.
Me anë të këtij Memorandumi palët shprehën gatishmërinë dhe angazhimin për bashkëpunim në fushën e trajnimit të administratës, kryesisht asaj vendore, në përpjekjet e përbashkëta kundër korrupsionit dhe në drejtime të tjera me interes të ndërsjellë.