Departamenti i Arkitekturës, Universiteti Barleti në bashkëpunim me Universitetin Politeknik të Barit dhe kontribut të personaliteteve dhe akademikëve të shquar vendas dhe ndërkombëtare, organizoi ditën e premte 21 shkurt 2014, konferencën e nivelit të lartë me temë: "Arkeologjia Industriale në Shqipëri, Restaurimi, Zhvillimi i Qëndrueshëm dhe i Integruar"
Konferenca shpalosi ide dhe vizione alternative duke influencuar konkretisht në rikualifikimin e zonave industriale në vend, të cilat përfaqësojnë një potencial të konsiderueshëm ekonomik. Fjalën e nderit e mbajti Z. Gjon RADOVANI, zv. Ministër i Zhvillimit Urban dhe Turizmit, i cili shpalosi idenë e një vale të zhvillimit ekonomik dhe kulturor të aplikuar në mbarë botën. Ai theksoi se arkeologjia industriale ka nevojë mbi të gjitha për vullnet të fortë politik, angazhimin e strukturave administrative qendrore dhe lokale, si dhe aktivizimin e institucioneve shkencore, universiteteve e grupeve të interesit. Më pas fjalën e mori Shefi i Departamentit të Arkitekturës, Inxh/Ark. Spartak Bagllamaja, i cili analizoi vështrimin e përgjithshëm të zonave industriale të Shqipërisë, si dhe trashëgiminë industriale në dy komponentët e saj: atë në proces dhe atë çfarë përfaqëson arkeologjia industriale.
Pedagogët e Politeknikut të Barit, Prof. Asoc. Ark. Anna Bruna Menghini, Prof. Ark. Francesca Calace, Ark. Frida Pashako, PhD si dhe diplomantët italianë analizuan konkretisht restaurimin, rikuperimin dhe konvertimin e zonës industriale të Fierit në destinacione ekonomiko-kulturore në përputhje me nevojat, mjedisin dhe elementë të tjerë alternativ.
Prof. Dr. Ilia Kristo - ekonomist, trajtoi temën nga pikëpamja ekonomike dhe analizoi kostot/përfitimet e një sipërmarrjeje të kësaj natyre. Fjalën më pas e mori arkitekti Marin Biçoku, i cili u fokusua në dy pika kryesore: problemet ligjore dhe financiare. Ai theksoi se si mundet dhe ku qëndron sekreti i ndërhyrjeve dhe rikualifikimi i këtyre zonave, konkretisht në Smart dhe Creative city.
Kryetari i Shoqatës së arkitektëve të Shqipërisë Z. Maksim Mitrojorgji sqaroi se si po evoluon arkitektura, dhe sa e madhe është nevoja tanimë pranë zyrave profesionale që ushtrojnë veprimtari arkitekturore dhe inxhinierike, dhe institucioneve shtetërore. Ai gjithashtu theksoi se zgjedhja e qytetit të Fierit është e rëndësishme dhe studimi i kryer pikërisht nga pedagogët dhe diplomantët e Politeknikut të Bariti shte vendosja e ekuilibrave mjaft mire në raport me qytetin dhe zonën urbane. Ai u ndal po ashtu mbi peizazhin historik urban dhe industrial, raportin dhe rëndësinë që arkitektët dhe urbanistët duhet të japin për të marrë formën e shumëkërkuar.
Gjatë këtij diskutimi, secili nga Universitetet partnere evidentoi arritjet dhe hapat pasues të projektit.
Takimi u përfundua me një vizitë dhe prezantim të projektit në Bashkinë e Fierit nga pedagogët dhe diplomantët e Politeknikut të Barit.