Ditën e mërkurë, 29 Janar 2014, znj. Milena Harito, Ministre e Inovacionit dhe Administratës Publike mbajti një takim me studentët e fushës së Teknologjisë së Informacionit për një bisedë të hapur rreth sfidave që paraqiten në realitetin shqiptar për përdorimin e teknologjisë së informacionit, idetë, projektet, dhe rolin e studentëve në zhvillimin e kësaj fushe, duke përcjelle një vizion mbi iniciativat e ardhshme që ministria do të ndërmarrë.
Znj. Harito prezantoi projektin pilot të filluar nga Kryeministria dhe e ndjekur nga të tjera ministri, që promovon një nga premtimet e programit të kësaj qeverie, transparencën e plote. Portali E-Albania do hedhë hap pas hapi çdo shpenzim të bërë nga Kryeministria, në kuadër të transparencës ndaj publikut dhe respektim të së drejtës të informimit në tërësi dhe të informacionit rreth përdorimit dhe menaxhimit të parave të taksapaguesve shqiptare.
Ajo gjithashtu nxiti studentët e IT-së që të zgjerojnë interesat dhe eksperiencën brenda kësaj fushe, pasi thjeshtëzon procesin e punësimit, duke u shprehur se “teknologjia dhe përdorimi i saj ju lejon zhvillimin nëpërmjet ideve inovative” dhe të mos mbeten në nivelin bazik “mirëmbajtës rrjeti”.
Znj. Harito përcolli besimin e saj se nëse çdo gjë do të kompjuterizohet, do të ketë më shumë transparencë, më pak korrupsion, më tepër shpejtësi shërbimi, pra më shumë cilësi jete në vend.
Kjo është sfida e saj dhe e qeverisë për t'ju afruar këtyre objektivave në fund të mandatit.
Kësisoj, ajo ka nxitur dhe inkurajuar partneritetet me institucione jo publike që i shërbejnë sfidës, dhe se ky ishte qëllimi i takimeve të bëra në universitetet jopublike.
Ajo ju kërkoi studentëve të IT për të qenë pjesëmarrës me aktiv, dhe të japin ide si të bëhen më mirë gjerat.
Gjatë aktivitetit, u prezantuan disa projekte të punuara nga studentët e IT-së, nën drejtimin e profesorëve të tyre, të cilat kanë qenë kandidatë të forta në disa konkurse kombëtare, si p.sh. Parking Point Tirana, Wikimed - Wikipedia e Mjekësisë Shqiptare, portali Creative City. Studentët shprehën shqetësimin e tyre sa i takon realizimin e ideve dhe projekteve të tyre. Znj. Edlira Kasaj, Drejtore Ekzekutive e Protik sugjeroi studentët të kontaktonin zyrën që ajo përfaqëson, duke i siguruar se ndihma për ta do të ishte tepër pozitive. Z. Dritan Mezini, Kryetar i Shoqatës Shqiptare të IT-së (AITA) inkurajoi studentët për pjesëmarrje me aktive në aktivitete të ndryshme brenda industrisë për të krijuar dhe zgjeruar njohuritë e mbi të gjitha rrjetin e njohjeve, si çelës i suksesit të karrierës së tyre në tregun e punës.
Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të promovimit të IT-së nga vetë znj. Harito dhe institucioni që ajo përfaqëson dhe UB është krenare për paraqitjen dinjitoze që patën gjatë këtij takimi ekspertët e ardhshëm të IT-së shqiptare.