Universiteti Barleti vlerësohet partner fitues në projektin “European Academic Network for Open Innovation”, nga programi “Lifelong Learning Education” - Erasmus Mundus 2013.
Kontributi i projektuar dhe investimi i vazhdueshëm për të implementuar trekëndëshin e dijes, “Edukim- Kërkim Shkencor dhe Innovacion” midis të tjerash është konkretizuar edhe nëpërmjet përfshirjes së Universitetit Barleti - partner fitues në projektin “ European Academic Network for Open Innovation .
Projekti do të realizohet në bashkëpunim me 52 organizata të vendeve të ndryshme, nga 35 vende Evropiane, si dhe do të sjellë së toku institucione të arsimit të lartë dhe jo-universitare, ku përfshihen institucione publike, jo-publike, organizata dhe subjekte biznesi, të gjitha të dalluara në shpirtin e inovacionit, në kërkimin shkencor, edukimin dhe formimin profesional. Në projekt janë përfshirë edhe rrjete të institucioneve publike e jo-publike Evropiane, të cilat do të përfshijnë universitetet në rrjetin e tyre, duke i bërë ato prezentë e duke i njohur me informacionet më bashkëkohore në lidhje më “open innovation”[1]
Bashkimi Evropian në strategjinë e vet të rritjes dhe stabilitetit, ka përcaktuar edhe rrugët e nismat që do të ndërmarrë për të arritur objektivat konkrete, të tilla si inovacioni dhe kërkimi shkencor, agjenda digjitale, edukimi dhe formimi profesional, politikat industriale dhe biznesit, reduktimi i varfërisë, përdorimi efikas i burimeve. Open Innovation shërben dhe kontribuon për realizimin me sukses të të gjitha nismave të sipërpërmendura.
Projekti “ European Academic Network for Open Innovation”, ku UB është përfshirë, është nisma më e madhe e ngritur në institucion në nivel Europian.
Nëpërmjet projektit synohet të shpërndahen rezultatet e kërkimit shkencor dhe inovacionit global, në një shkallë të gjerë në Evropë e më gjerë. Midis të tjerash projekti mundëson realizimin e modeleve të integruara të kurrikulave të arsimit të lartë, ndihmon në publikimin dhe mundësitë e ofrimin e kërkesë-ofertës së punës për studentët e profilizuar në sektorë të ndryshëm. Dijet e përditësuara si dhe idetë bashkëkohore për inovacionet, mund t’i shpërndahen studentëve në mënyrë më efektive, dhe prej tyre konkurrimi evropian mund të fitojë nëpërmjet proceseve më inovative për sektorin privat dhe publik.
Dr. Reis Mulita, Koordinator i Projektit per UB, evidenton faktin se “UB është partneri i vetëm shqiptar në këtë projekt, dhe se partneriteti në këtë rrjet e projekt, do të rrisë mundësitë për të zhvilluar dhe implementuar nismat e dallueshme inovative të ndërmara deri më tani nga UB dhe institucionet e kërkimit shkencor pranë Universitetit. Projekti do të kontribuojë për të lidhur edukimin, kërkimin shkencor dhe aplikimin e dijeve e njohurive në realitetin shqiptar dhe më gjerë. Po kështu, vlen të përmendet fakti, se në projekt janë përzgjedhur të gjitha ato organizata, të cilat kanë shfaqur interes dhe histori suksesi në edukim, kërkim shkencor dhe inovacion”.
Projekti konsiston në krijimin e një rrjeti të përbashkët të universiteteve, kërkimit shkencor, botës së biznesit dhe shoqërisë civile, të cilët do të bashkëpunojnë në “Open Innovation” ( OI ). Open Innovation, në këtë projekt do të kontribuojë për këmbimin dhe përdorimin e flukseve të dijes, ideve dhe praktikave inovative midis anëtarëve partnerë të projektit.
I nxitur nga kërkesa ekonomike dhe e biznesit, OI-Net është hartuar për bashkëveprimin në rrjet të universiteteve dhe institucioneve të arsimit të lartë, në bashkëpunim me botën e biznesit, aktorët socio-ekonomik, etj. Gjithashu, në vijim do të krijohet një platformë e Open Innovation Network, për të shpërndarë informacion dhe dije inovative e bashkëkohore. Ndryshe nga platformat e shumta ekzistuese të deritanishme, platforma e OI-Net, do të jetë shumë e gjerë si edhe do të fokusohet në edukimin për open innovation, duke bashkuar akademikët, bizneset, të cilët mund të prezantojnë produktet dhe japin informacion për to. Produktet në fjalë do të gëzojnë të gjitha të drejtat e autorit, do të jenë origjinale, “peer recognition”, etj. Modeli do të jetë “e-collaborative”, “cooperative culture of knowledge platform”. Platforma do të ketë vazhdimësi funksionimi edhe kur të përfundojë projekti , mbështetur në bashkëpunimin e të gjithë partnerëve të projektit.
[1] Sipas Prof. Chesbrough (i konsideruar si themelues i këtij koncepti), Open Innovation nënkupton, përdorimin e programuar të flukseve të dijes dhe inovacioneve me qëllim nxitjen, përshpejtimin e innovacionit brënda një vëndi, dhe zgjerimin e tregut për përdorimin e jashëm të tij, me qëllim këmbimin dhe përdorimin reciprok të dijeve innovative. Ky koncept konsideron gjithashtu se kompanitë dhe bizneset mund dhe duhet të përdorin idetë innovative në rrugën e përparimit teknologjik në përputhje me interesat dhe flukset e tregut. Gjithashtu, open innovation konceptohet si nxitje sistematike dhe gjetje e burimeve innovative të brëndëshme dhe të jashtëme, si edhe përfshirja e këtyre gjetejeve në burimet dhe kapacitetet e kompanive për ti përdorur ato nëpërmjet rrugëve të shumë llojëshme.