universiteti “Barleti” organizoi sot një takim të hapur me Ministrin e Arsimit të Republikës së Maqedonisë z. Sulejman Rushiti, me temë: “Roli i shqiptarëve në integrimin e Maqedonisë në Nato”. Ndër çështjet kryesore u trajtuan problematika e arsimit shqip dhe sfidat e integrimit euroatlantik të vendit fqinj.
Mungesa 70 vjeçare e institucioneve të arsimit shqip në Maqedoni ka qenë evidente dhe do kohë të përmirësohet. Nga viti 1994 shumë pak është bërë, ndaj arsimit shqiptar në Maqedoni aktualisht dhe me të drejtë i kushtohen 70% të investimeve në kapitale “dhe kjo ka qenë dhe në qendër të debateve mes meje dhe kryeministrit Gruevski” bën të ditur ministri.
“Rilindja e kombëtarizimit u bë me hapjen e universiteteve” tha Rushiti. “Nacionalizmi është një vlerë evropiane. Shteti-nacion nisi në Europën Perëndimore. Por ka kaluar koha që “nacionalizmi maqedonas” nëse mund ta quaj kështu, edhe ai më anti-shqiptar, të dëmtojë procesin integrues të Maqedonisë. Maqedonia shkon drejt një shteti mbinacional dhe kjo është e kuptuar nga të gjitha qarqet”.
Duke përmendur ato të Kumanovës, Gostivarit, etj, z. Rushiti kujtoi si hapja e institucioneve të arsimit në gjuhën shqipe në Maqedoni nuk është arritur në mënyrë të natyrshme, por me protesta. Duke dhënë fillimisht një pasqyrë të gjendjes së arsimit shqip në Maqedoni, ministri kujtoi kërkesat, edhe të përgjakshme, për hapjen e shkollave fillore, të mesme e të larta në gjuhën shqipe, si veçori të një situate të kaluar tashmë. Vendin e tyre e kanë zënë sfida të reja si harmonizimi i legjislativës së Republikës së Maqedonisë në kuadrin e BE, duke qenë shtet kandidat për të hyrë në të.
Krijimi i institucioneve është shumë i rëndësishëm për integrimin: Karta e Bolonjës apo programe si Leonardo Da Vinci dhe Erasmus paraqesin vështirësi në përshtatje të institucioneve ekzistuese, aq sa, më e lehtë është ngritja e atyre të reja.
Maqedonia nuk mund të ekzistojë pa shqiptarët, të cilët mund të jenë faktor stabilizimi dhe destabilizimi në vend. Nëse shqiptarët në ish-Jugosllavi njiheshin jo si komb por kombësi, sot statusi i tyre nuk përbën problem, edhe pse, sipas z. Rushiti, problemi më i madh i Maqedonisë nuk është mosgjetja e kompromisit mes saj dhe Greqisë për përdorimin ndërkombëtar të emrit, por mosfunksionimi i shtetit multietnik. "A nuk është e habitshme si, 10 ditë para Samitit të Bukureshtit, u bënë disa kërkesa 17 vjeçare mbi të drejtat kolektive të shqiptarëve në Maqedoni? Pse Marrëveshja e Ohrit (që ndaloi konfliktin në 2001) u pasua nga të tjera që e zbehën atë, duke hapur tema si ndarja territoriale dhe decentralizimi e duke lënë më pak në pah përdorimin zyrtar të shqipes, të simboleve kombëtare, etj?”
Sot Maqedonia duhet të zgjidhë problemet e jashtme me Greqinë, por dhe çështjet e brendshme. Zgjidhja e të drejtave kolektive është në rrugë e sipër. Pak paradoksale është situata me zgjedhjet e parakohshme të kërkuara nga partia opozitare shqiptare, në një kohë kur po realizohet marrëveshja mes Partisë Demokratike të Shqiptarëve në Maqedoni (PDSH) dhe Partisë së kryesuar nga Kryministri Nikola Gruevski (VMRO DPMNE): në të përmbahet formimi i grupeve të punës të të dy partive për miratimin e ligjit të gjuhës, flamurit, statusit të veteranëve të UÇK-së dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Nganjëherë fatkeqësia mund të kthehet në fat" përfundon z. Rushiti. "Familje shqiptarësh të emigruara nga Maqedonia sot kthehen dhe kontribuojnë me kulturën dhe arsimin e marrë në perëndim. Ashtu si dikur humbja e universiteteve të Sarajevës, Zagrebit, Shkupit e Beogradit, u zëvendësua me Universitetin e Tiranës, ku u kontribua në diçka shumë të rëndësishme për shqiptarët që jetojnë në shtetin amë: shkëmbimi dhe ruajtja e trashëgimisë kulturore. Integrimi i shqiptarëve për momentin e ka pikën e përbashkët në Bruksel. është e pamundur të mendohet integrimi evropian pa ngritur kultivimin e veçantive tona kulturore”.
Ndaj nuk ka pse të duket çudi si të huajt janë të interesuar për integrimin brenda shqiptar, si për shembull duke mbështetur propozimin në Maqedoni për reformat e kurrikulave dixhitale të arsimit shqip. Por nevoja për këtë integrim është larg ideve nacional-romantike. Ajo mbështetet në standardizimin e të dhënave në hapësirat panshqiptare.
Kuriozitet:
Takimi i ministrit të Arsimit të Maqedonisë Sulejman Rushiti me studentët u mundësua në kuadrin e Qendrës së Studimeve mbarëshqiptare, baza e së cilës qe Memorandumi i nënshkruar në mars të këtij viti mes universitetit “Barleti” (UB), Universitetit për Teknologji e Biznes të Prishtinës (UBT) dhe Universitetit shtetëror të Tetovës. Ministri i Arsimit z. Sulejman Rushiti është gjithashtu anëtar i bordit të kësaj qendre (përkrah figurave si Enver Hoxhaj - Ministër Arsimi i Kosovës, Arbën Xhaferri - filozof maqedonas, Edmond Harizi - rektor i UBT, Labinot Greiçevci - i Departamentit të Shkencave Politike po aty, Mentor Nazarko - i departamentit të Shkencave Politike në UB, etj).
I vëmendshëm ndaj çështjeve që paraqesin interes për studentët e tij dhe opinionin e gjerë, universiteti “Barleti” organizon takime të shumta publike me figura të shquara të vendit dhe ndërkombëtare. Takimi i sotëm me Ministrin e arsimit të Maqedonisë z. Sulejman Rushiti, pason atë të dy ditëve më parë me Ambasadorin e BE në Tiranë z. Helmut Lohan.
Më shumë rreth të ftuarit:
SULEJMAN RUSHITI është zgjedhur Ministër i Arsimit dhe Shkencës në 26 gusht 2006.
Lindur në 22 janar 1972 në Gostivar, ai u diplomua si regjisor në Akademinë e Arteve në Tiranë.
Prej 1998-2001 ka punuar si regjisor në Televizionin e Maqedonisë.
Pas kësaj, ai ka qenë menaxher i përgjithshëm i Teatrit të Kombësive në Shkup.
Ai është themelues i TEATRIT ALTERNATIV në Shkup, dhe pjesëtar i Bordit Ekzekutiv i Shoqërisë Pro Helvetia.
Njohës i 4 gjuhëve të huaja (anglisht, gjermanisht, italisht dhe serbisht), në karrierën e tij profesionale ka punuar si drejtor në Teatrin e Oldenburg-ut dhe si Menaxher drejtues në Institutin Goethe në Gjermani.
Z. Rushiti është zv.kryetar i Partisë Demokratike të Shqiptarëve në Maqedoni (PDSH).