Në kuadër të aktiviteteve “Ditët e Kujtesës”, me rastin e 75 vjetorit të Çlirimit të vendit, Departamenti i Qeverisjes, Shkencave Politike dhe Komunikimit në UB, në datën 25 nëntor, organizoi një takim poetik me temë “Ti Shqipëri më jep frymë!”.
I ftuari special i këtij aktiviteti ishte ikona e skenës dhe artit shqiptar, Reshat Arbana. Biseda, nën moderimin e pedagogut Erion Kristo, u zhvillua mes temave të poezisë, artit dhe patriotizmit, ku z. Arbana ndërthuri në mënyrë të përkryer kumtimin e tij mbi patriotizmin në këto kohë të turbullta me poezitë e përzgjedhura me shumë kujdes nga ai vetë.
Ai foli për elitat politike dhe shoqërore që mbjellin pesimizëm, për rininë që duhet të marrë në dorë fatet e saj, për atdhedashurinë e cila është e vetmja ndjenjë që ka rëndësi sot dhe mund ta shpëtojë Shqipërinë.
Me zërin kumbues që e karakterizon, por edhe me mesazhet nëpërmjet poezisë që përcolli, ai arriti të depërtojë fort në zemrat e studentëve, duke u kujtuar edhe njëherë atyre se dashuria për vendin, por edhe për njëri tjetrin, mund t’i shpëtojë nga lakmia dhe etja për pushtet.
Aktiviteti vijoi me shumë pyetje. Studentët shfaqën interes dhe pjesëmarrje qysh prej fillimit dhe gjatë gjithë kohës duartrokitjet nuk pushonin. Reshat Arbana, mishërimi më i bukur i shqiptarizmës, do mbetet gjatë në kujtesën e studentëve të Universitetit Barleti