Ditën e mërkurë, datë 20 nëntor 2019, studentët e Departamentit të Ekonomisë, Sipërmarrjes dhe Financës si dhe Departamentit të Qeverisjes, Shkencave Politike dhe Komunikimit pranë Universitetit Barleti, organizuan një vizitë studimore në ambientet e Bankës së Shqipërisë.
Ata u njohën nga afër me historikun e parasë shqiptare, koleksionin e monedhave dhe kartëmonedhave në BSH si dhe nevojën e kësaj të fundit për të hedhur, kohët e fundit, në treg prerjen e kartëmonedhave të reja.
Pjesë interesante e kësaj vizite studimore ishte dhe leksioni i hapur, i mbajtur nga kryespecialistja pranë Departamentit të Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë, Znj Olta Manjani, me temë “Politika monetare dhe roli i Bankës së Shqipërisë”.
Studentët u njohën me politikën monetare që ka ndjekur Banka e Shqipërisë gjatë dekadës së fundit, sistemin monetar, instrumentet e ndërhyrjes në treg etj. Ata shfaqën mjaft interes, duke shoqëruar leksionin me pyetje e debate të shumta.