Ditën e sotme, 21 Nëntor 2019 në UB u zhvillua aktiviteti me temë ‘’Arkitektura dhe Sipërmarrja, ndërthurja e pasioneve me profesionin’’ nga Ark. Pezana Rexha nën kujdesin e përgjegjëses së Departamentit të Arkitekturës dhe Dizajnit Dr. Otjela Lubonja.
Pezana tregoi mbi rrugëtimin e saj në themelimin e ngritjen e kësaj sipërmarrje, që mban emrin Pana.
"Pana" u krijua në Prill 2013 si ide për të trajtuar krijimtarinë në Arkitekturë dhe Industrinë e Mobiljeve dhe duke pasur një mision shoqëror brenda ndërmarrjes duke respektuar njerëzit dhe natyrën. Puna tek “Pana” është e ndarë në dy fusha: projektimi dhe prodhimi. “Pana Studio” është vendi ku idetë e klientëve vijnë në jetë, përgjatë një procesi të gjatë ku leximi psikologjik i nevojave të klientit integrohet me funksionalitetin dhe estetikën për të bërë bashkë një projekt të qëndrueshëm, të zbatueshëm dhe unik. “Pana Storytelling furniture” është shtylla e dytë e Pana-s me një punishte ku dizajni takon realitetin, ku projekti kthehet në mobilje të gatshme për t’u dorëzuar te klienti. Duke përdorur dru të ricikluar, ne nuk ndihmojmë vetëm në mbrojtjen e natyrës, por ndihmojmë gjithashtu në ruajtjen e origjinalitetit dhe bukurisë që vetëm druri natyral mund t'i ofrojë një vendi. Falë punës së dorës me të cilën marangozët tanë prodhojnë mobiljet, punimet tona janë unike dhe të kuruara deri në detajet më të vogla. . "Pana" ka projektuar dhe mobiluar më shumë se 300 bare, restorante, zyra, dyqane dhe shtëpi që nga momenti ku e gjithë kjo ishte thjesht një ide.
Aktiviteti u shoqërua me pjesëmarrje aktive të studentëve, të cilët shprehën vlerësime positive për tematikën dhe u njohën më nga afër për sipermarrjen, e cila do të shërbejë si një bashkëpunim më i gjërë mbi projektet e tyre.