|
|
Pak histori.. Ideja e krijimit të një universiteti në mjediset e “Ballkan”, një qendër çlodhjeje dhe argëtimi shumë e njohur për kryeqytetasit, ishte e vetë pronarit të qendrës, z. Gafur Dudaj, dhe miqve të tij. Për të realizuar këtë ide, në tetor të vitit 2004, me inisiativën e z. Gafur u ngrit një grup nismëtar, i përbërë nga profesorë me përvojë të gjatë në arsimin e lartë.
Grupi nismëtar, pasi u njoh nga njëra anë me organizimin dhe funksionimin e shumë prej universiteteve me emër në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga ana tjetër me parimet, kërkesat dhe objektivat e Deklaratës së Bolonjës, në përputhje me këto të fundit, ai përgatiti me kujdes dokumentacionin për marrjen e licensës, të cilin, në datën 15.12.2004, ia përcolli Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për shqyrtim dhe miratim.
Krahas punës shumë të kujdesshme për hartimin e kurrikulave të një universiteti të ri në frymën e Deklaratës së Bolonjës, grupi nismëtar i kushtoi vëmendje të posaçme edhe pagëzimit të këtij institucioni. Jo rastësisht ai zgjodhi emrin e Marin Barletit (1460 – 1513), personaliteti i të cilit spikat në galerinë e figurave të ndritura të popullit shqiptar si humanisti i parë shqiptar, si i pari dhe më i madhi autor i njohur që në vitet 1500 si shkrimtar dhe historian i Skënderbeut, gati bashkëkohës i tij, dhe njëherësh luftëtar me armë në dorë në mbrojtje të trojeve shqiptare. Tri veprat e Marin Barletit për luftën heroike të Shqipërisë dhe të shqiptarëve janë një burim i dorës së parë dhe i pazëvendësueshëm për historinë e shekullit XV të Shqipërisë dhe të Europës Juglindore. Vepra më e rëndësishme tij mbetet natyrisht “Historia e jetës dhe bëmave të Skënderbeut, princit të epirotëve1”. E botuar thuajse në të gjitha gjuhët e botës, vepra është një thesar i kulturës kombëtare dhe një kontribut në kulturën e përgjithëshme europiane. Duke qenë se vepra nuk trajton vetëm betejat por edhe jetën, zakonet, traditat, organizimin dhe mardhëniet mes popujve të Ballkanit dhe më gjërë, në të janë mbështetur dhe vazhdojnë të mbështeten shumë studiues të Europës Juglindore ashtu sikundër janë frymëzuar dhe vazhdojnë të frymëzohen mjaft kompozitorë, poetë dhe shkrimtarë.
Paralelisht me përgatitjen e dokumentacionit për marrjen e licensës, në mjediset e “Ballkan” filloi puna për transformimin e objekteve të qendrës argëtuese në një kampus universitar ku nuk do të mungonin as sallat e konferencave, as salla e studimit dhe as ajo e kompjuterave dhe e internetit. Në fund të muajit korrik 2005, kompleksi universitar me kapacitet për rreth 800 studentë dhe 2000 m2 oborr dhe lulishte ishte gati të priste studentët.
Në datë 12.08.2005, Këshilli i Ministrave me vendimin nr. 571 dha lejen për hapjen e shkollës së lartë universitare “Marin Barleti”, me dy fakultete dhe pesë degë: fakulteti i gjuhëve të huaja me degët gjuhë angleze, gjuhë gjermane dhe gjuhë frënge dhe fakulteti i matematikës së zbatuar me degët matematikë - administrim dhe matematikë - financë.
Në vitin akademik 2005 – 2006 u regjistruan studentë në tre degë: në degën e gjuhës angleze, në degën matematikë - administrim dhe në degën matematikë - financë.
Në tetor të vitit 2005 grupi i investitorëve vendosi të rrisë numrin e fakulteteve dhe të degëve. Grupi i punës i ngritur për këtë qëllim përgatiti dokumentacionin përkatës, të cilin në datën 20 dhjetor 2005 ia përcolli për shqyrtim dhe miratim Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
Në datë 12.04.2006, me vendimin me nr. 2365, Ministria e Arsimit dhe Shkencës miratoi hapjen pranë universitetit “Marin Barleti” edhe të dy fakulteteve të reja me gjashtë degë: fakultetit të ekonomisë dhe biznesit me degët menaxhim-biznes dhe financë-kontabilitet dhe fakultetit të shkencave humane me degët drejtësi, shkenca politike, sociologji dhe psikologji.
1 “Historia di vita et gestis Scanderbegi, epirotarum principis”
|