|
|
|
"Marin Barleti Press" boton librin e ri tė Prof. Dr. Artan Fugės, "Media, politika, shoqeria"
Enti botues i Universitetit, "Marin Barleti Press" hodhi në qarkullim librin e ri të Profesor Artan Fugës me titull "Media, politika, shoqëria". Libri, i cili i shtohet numrit gjithmonë në rritje të botimeve "Marin Barleti" analizon zhvillimet e shoqërisë, medias dhe politikës shqiptare gjatë viteve '90 dhe më tej në mijëvjeçarin e ri. Shoqëria paskomuniste nisi e zhurmshme. Në të vërtetë, lind Tjetri si objekt i parrezikshëm për të dialoguar. Kërkohet deri në vuajtje Tjetri si dëgjues. Media bëhet qendra e shoqërisë. Të shprehurit lirshëm herë-herë mbetet si qëllim në vetvete. Fillon të përhapet edhe një lloj llafazanërie e nderuar. Lind e folura pa veprim. Është kënaqësi më vete të flasësh pa frikën se dikush i pëshpërit opinionet e tua në shërbimet sekrete. Media nis të luajë rolin e krijuesit të lidhjeve sociale të shprishura. Një ankth vetmie pa solidaritet ndihet në mjedis. Fjala bëhet kështu mjet terapeutik për të shëruar ndjenjën e fortë të ankthit kolektiv dhe të vetmisë individuale përpara së ar- dhmes që qëndron e hapur para nesh, por nuk "flet". ARTAN FUGA, anëtar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, mban titullin "profesor". Ka mbrojtur gradën e doktorit të shkencave në Shqipëri, në filozofi, si dhe në Francë, në fushën e shkencave të komunikimit dhe të informimit. Më pas, po atje, bëhet titullar i diplomës së doktorit të habilituar në shkencat humane dhe sociale (filozofi). Ka kualifikimin "Profesor i universiteteve", dhënë nga Këshilli Kombëtar i Universiteteve në Francë. Aktualisht është pedagog në Universitetin e Tiranës. Për më shumë informacion për jetën, botimet dhe veprimtarinë pedagogjike të autorit, mund të konsultohet faqja e tij web: Prof. Dr. Artan Fuga.com
|