Universiteti "Marin Barleti" Press paraqet librin “Rrota e mundimit” nga Artan Fuga

"Jetojmë në një shoqëri të komunikimit, të mediave, por ende jo në një shoqëri të së vërtetës. Njerëzit nuk e thonë të vërtetën kur iu preken gjërat thelbësore. Thonë të vërteta pa rëndësi, gati banale, shpesh budallallëqe. Nuk përdorin fjalët që duhen, për t’i emërtuar siç duhet gjërat e rëndësishme të jetës. Ato anë që rregullojnë shoqërinë, bazat e vërteta të saj, mbeten thuajse në heshtje. I mbulon ligji i heshtjes. Fjalët që thuhen shpesh nuk janë veçse eufemizma duke i dhënë të shprehurit njerëzor një përmasë të thekshme hipokrizie.

Ne e quajmë veten “qytetarë”, ndërkohë që mund të thërriteshim “konkurrentë” në një botë ku gjithkush dëshiron të jetë më mirë se të tjerët. Askush nuk i tregon burimet e pasurisë së vet. Si e bleu vilën? Si është vënë në zotërim të veturës gjigande? Si nisi ta vërë pasurinë? Edhe sëmundjet duhet t’i fshehësh për shkak se nga gjendja shëndetësore varet niveli i kredisë që të japin bankat. Jo pak operatorë ekonomikë fshehin sasinë e xhiros së vërtetë për t’iu shpëtuar taksave. Askush nuk tregon se çfarë fitoi nga tenderi? Pa fund burra dhe gra që i fshehin njëri-tjetrit marrëdhëniet e tyre jashtëmartesore. Pa fund të rinj dhe të reja që iu fshehin prindërve jetën e tyre seksuale dhe lidhjet e tyre dashurore. Shitësi nuk thotë se fiton pará kur u shet ujë të pijshëm me bidonë qytetarëve të etur, por shprehet se po i shërben komunitetit në këto ditë thatësire. Shitësi i gjeneratorëve po ashtu mban fytyrë të mërzitur para blerësve, ndërkohë që ndofta zemra i gufon nga gëzimi kur ndjen se kriza e energjisë ia ka rritur ndjeshëm fitimin. Gjuha njerëzore është bërë hipokrite pikërisht për të fshehur agresivitetin ndaj të tjerëve. Jetojmë në kohën e një komunikimi eufemik.”


ARTAN FUGA
Rrota e mundimit
Kolana: Universiteti “Marin Barleti” Press
Shtëpia botuese DUDAJ
Tiranë, 2007


--------------------------------------------------------------------------------

Në foto: Fragmente nga prezantimi i librit "Rrota e mundimit" të enjten, datë 15 nëntor, gjatë Edicionit të 10- të të panairit të Librit Shqip, në ambientet e Qëndrës Ndërkombëtare të Kulturës “Arbnori” në Tiranë.


Universiteti 'MARIN BARLETI' © 2005 - 2009. Tė gjitha tė drejtat tė rezervuara.