Struktura Akademike

Fakulteti është njësia më e madhe mësimore dhe shkencore e UMB-së. Fakulteti përbëhet nga disa departamente. Organet drejtuese të fakultetit janë: dekani, këshilli shkencor, kancelari dhe zëvendësdekani.

Dekani është drejtuesi kryesor i fakultetit. Dekani duhet, si rregull, të ketë titullin "Profesor" ose "Profesor i asociuar". Dekani i fakultetit bën pjesë në stafin drejtues akademik të universitetit. Kandidatura e tij i propozohet Bordit nga rektori.

Këshilli shkencor është organ epror kolegjial i fakultetit. Ai merr në shqyrtim dhe vendos për problemet më të rëndësishme të mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe kualifikimit.

Departamenti është njësia bazë mësimore dhe shkencore. Departamenti mbulon disa disiplina shkencore të ngjashme. Në departament përfshihet i gjithë trupi akademik përkatës.

Përgjegjësi i departamentit është autoriteti më i lartë për njësinë bazë mësimore dhe shkencore. Përgjegjësi i departamentit duhet të ketë gradë shkencore. Përgjegjësi i departamentit bën pjesë në stafin drejtues akademik të universitetit. Kandidatura e tij propozohet nga trupi akademik i brendshëm i departamentit dhe emërohet nga dekani i fakultetit pas miratimit nga rektori.

Njësi të tjera të universitetit konsiderohen sekretaria mësimore qendrore, zyra për marrëdhëniet me jashtë dhe median, si dhe njësi apo zyra të tjera që mund të krijohen jashtë fakulteteve, por që operojnë në shërbim të tyre dhe të universitetit.